Kanë mbetur edhe disa javë deri në shqyrtimin e Rregullores së Procedurës dhe të Provave nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, për të përcaktuar nëse kjo Rregullore përputhet me Kapitullin II të Kushtetutës së Kosovës.
E kjo do t’u hapte rrugë aktakuzave të para të Zyrës së Prokurorit Special, e cila pritet të hetojë dyshimet për krime dhe transplantim organesh, në të cilën do të përfshihen ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Zyrtarë për informim të Zyrës së Dhomave të Specializuara thonë se janë në pritje të kësaj rregulloreje, në mënyrë që të merren me akuzat e para.
“Në këtë moment, nuk mund të dorëzohen akuza/aktakuza para Dhomave të Specializuara të Kosovës. Vetëm pas hyrjes në fuqi të Rregullores së Procedurës dhe Provave, që është një dokument juridik thelbësor, Dhomat e Specializuara të Kosovës do të mund të marrin parashtrime gjyqësore të tilla në lidhje me akuza”, bëjnë të ditur për “Arbresh.info”, zyrtarë të Dhomave të Specializuara.
Sipas tyre, ende asnjë aktakuzë nuk ka arritur në këtë gjykatë.
“ I përket Zyrës së Prokurorit të Specializuar që të paraqesë akuza të cilat do të duhet të konfirmohen nga një gjykatës i pavarur i cili vlerëson nëse akuzat e ngritura janë të bazuara.
Gjithashtu, në këtë moment nuk është caktuar asnjë seancë gjyqësore”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve të zyrës për media të Dhomave të Specializuara.
Zyrtarë të organizatës për të Drejtat e Njeriut, vlerësojnë se procesi i funksionalizimit të Dhomave të Specializuara është vonuar.
Drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, thotë për Arbresh.info” se frikësohet që këto vonesa do ta humbin durimin e familjarëve të viktimave.
“Fillimi i punës së Gjykatës Speciale po prolongohet dhe unë nuk i di arsyet e kësaj zvarritje. Sigurisht, ky prolongim nuk është i mirëseardhur për neve si organizatë që merret me të drejtat e njeriut, dhe, besoj, se kjo më së paku i konvenon familjeve të viktimave. Pritjet janë të mëdha për familjet e viktimave dhe kam frikë se ata po e humbin durimin”, është shprehur Blakaj.
Ai thotë se aktakuzat janë gati, por vetëm po pritet vendimi i Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e Rregullores së Procedurës dhe të Provave.
“Qysh në fjalimin e fundit të Prokurorit të SITF, Clint Williamson, është dhënë për të kuptuar se aktakuzat janë të gatshme, mirëpo për tu bërë ato publike është dashur që të sillen edhe vendimet tjera. Dokumenti i fundit i cili është dashur të miratohet para fillimit të procedurave është Rregullorja e Procedurës dhe Provave”, thotë Blakaj.
Blakaj, thotë se nuk ka ndonjë informacion se kur do të bëhen publike aktakuzat e para, por ai shpreson se kjo do bëhet deri në qershor të këtij viti.
Ndryshe, me 27 mars, Kryetarja e Dhomave të Specializuara i referoi Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, Rregulloren e Procedurës dhe të Provave (RPP). Kjo rregullon në hollësi kryerjen e procedurave gjyqësore para Dhomave të Specializuara.
Rregullorja e Procedurës dhe e Provave u miratua në mars 2017, gjatë seancës së parë plenare të gjykatësve të Dhomave të Specializuara.
Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese do të ketë tridhjetë ditë për shqyrtimin e Rregullores, për të përcaktuar nëse kjo Rregullore përputhet me Kapitullin II të Kushtetutës së Kosovës./Arbresh.info/ Gita Lushi
Policia e ndjek nëpër mal dhe e kap të dyshuarin që e dogji ...
Grabitje e armatosur në një barnatore në Pejë, dy të dyshuar...
Juventusi interesohet për shërbimet e portierit të klubit të...
Kurti: Kriminelët e mëdhenj serb ose janë në burgun e Dyzit,...
Kurti “punëson” gjyshërit: Nga 100 euro shtesë për ata që ku...
Isak dyshohet se e ka thyer këmbën