Sot merret vendimi për Donika Kadaj-Bujupi

09:48 | 24 Nëntor 2015
M. A.

Gjykata e Apelit pritet të vendos rreth ankesës së mbrojtjes për deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi.

Avokati i deputetes, Arianit Koci ka thënë për “Zeri.info” se shqyrtimi i ankesës pritet të bëhet gjatë ditës së sotme.  “Ankesën e kam dorëzuar javën e kaluar dhe lëndët me paraburgim kanë prioritet. Sidoqoftë, Gjykata e Apelit është shumë e ngarkuar me lëndë, dhe mu kjo është arsyeja pse nuk është trajtuar deri me tani”, ka thënë ai.

Koci thotë se beson në sistemin e drejtësisë dhe ka shumë shpresë se ankesa do të aprovohet.  “Ka bazë të fortë juridike dhe faktike. Janë në opsion te gjitha masat, prej arrestit shtëpiak deri te heqja e te gjitha masave, nëse aprovohet ankesa”, është shprehur mbrojtësi i deputetes Kadaj-Bujupi.

Ndryshe, deputetja e AAK-së është arrestuar të mërkurën e javës së kaluar në shtëpinë e saj pas fletë-arrestit të lëshuar nga Gjykata lidhur hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale