Si raportoi gazeta “Washington Post” për sulmin në Prekaz 28 vite më parë?

14:45 | 5 Mars 2026
E.K

28 vite më parë ndodhi sulmi ndaj familjes Jashari në Prekaz të Skenderajt. Në atë kohë, kur raportimi i mediave ishte i vështirë, si nga aspekti teknik ashtu edhe logjistik, mediat e huaja pasqyruan këtë sulm, i cili kulmoi me rënien heroike të familjes Jashari.

Gazeta amerikane The Washington Post, në një shkrim 28 vite (mars 1998) më parë të botuar, shkruan se forcat serbe nisën një sulm të ri ndaj shqiptarë etnikë, duke sulmuar fshatrat përreth kryeqytetit në një operacion që shqetësoi administratën e Clintonit dhe qeveritë e tjera perëndimore.

Shkrimi me titull “Serbia sulmon shqiptarët etnikë”, raporton se Policia okupatore serbe njoftonte se të paktën 20 shqiptarë dhe dy oficerë policie serbë u vranë në përleshje.

“Përleshjet nisën në agim. Qindra policë paramilitarë, të mbështetur sipas raporteve nga helikopterë të armatosur dhe dhjetëra automjete të blinduara, sulmuan fshatrat shqiptare rreth 20 milje perëndim të Prishtinës. Policia serbe ngriti pengesa rrugore për të ndaluar gazetarët të afrohen në zonë, por burimet shqiptare thanë këtë mbrëmje se një numër shtëpish në dy fshatra, Lausha dhe Prekazi u dogjën dhe që deri në 3,000 gra dhe fëmijë u larguan drejt qyteteve të afërta. Raportohet se sulmi u përhap edhe në një duzinë fshatrash të tjera”, shkruan kjo gazetë.

“Sulmi i sotëm shënoi një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në Kosovë, e cila ka rreth 2 milionë shqiptarë etnikë dhe më pak se 200,000 serbë. Ai erdhi vetëm pesë ditë pas operacioneve të ngjashme policore në rajonin e Drenicës, që raportohet se vranë katër policë dhe 25 shqiptarë’, raporton gazeta.

Gazeta amerikane The Washington Post, shkruante se në kulmin e luftës në Bosnje në 1992, administrata Bush paralajmëroi Jugosllavinë se forcat amerikane do të ndërhynin ushtarakisht në Kosovë për të ndaluar veprimet serbe kundër shqiptarëve etnikë.

Të ngjashme