Me kërkesë të prokurores speciale Drita Hajdari, është shtyrë gjykimi ndaj ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës (UP), Enver Hasani, i caktuar të vazhdonte të premten.
Prokurorja Hajdari, javën e kaluar e kishte njoftuar gjykatën se e njëjta do të jetë pjesëmarrëse në një trajnim, dhe nuk do të mund të prezantoj në këtë seancë.
Përveç Hasanit, aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) përfshinë edhe Haki Veliun, ish-shef i zyrës së prokurimit në UP dhe Albert Rakipin, drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare nga Tirana (ISN). Të njëjtit pretendohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të “mashtrimit në detyrë”.
Ndërsa, i kontaktuar nga Betimi për Drejtësi, mbrojtësi i të akuzuarit Rakipi, avokati Gazmend Nushi, bëri të ditur se seanca e radhës pritet të mbahet më 25 korrik 2017, në ora 10:00.
Ndryshe në seancën e cila pritej të mbahej sot, do të vazhdohej me mbrojtjen e të akuzuarit Rakipi. Përderisa në seancën e mbajtur më 8 maj 2017, Hasani kishte vendosur të mbrohej në heshtje, ndërsa Veliu kishte paraqitur mbrojtjen e tij para gjykatës.
PSRK pretendon se Enver Hasani, Veliu dhe Rakipi, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për këtë Institut, kishin falsifikuar kontratën origjinale lidhur me përkthimin e disa librave nga gjuha angleze në atë shqipe. Sipas aktakuzës, të njëjtit kishin hartuar edhe një kontratë të re, duke shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale. Të akuzuarit e lartpërmendur kanë ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit 12.65 për 1000 fjalë kanë shënuar çmimin e njëjtë për 1000 karaktere. Në këtë mënyrë i kanë mundësuar ISN-së, përfitim kundërligjor në shumën prej 70.426.90 euro.
Këtë kontratë, për të cilën prokuroria pretendon se është falsifikuar, i akuzuari Hasani e ka dërguar në Tiranë tek i akuzuari Rakipi, ku ky i fundit e ka nënshkruar dhe e ka vulosur në emër të ISN-së.
Tutje, në aktakuzë thuhet se Rakipi, duke shfrytëzuar kontratën e falsifikuar, ka dorëzuar në UP, faturën për përkthimin e librave të llogaritur sipas njësisë matëse “karaktere” në shumë të përgjithshme prej 87.541.80 euro, pagesë kjo e lejuar nga i akuzuari Veliu.
46-vjeçari nga Kosova arrestohet në Ulqin, dyshohet se vrau ...
Takimi me kongresistët amerikanë, Haxhiu: Anëtarësimi në NAT...
Belgrano fiton titullin historik pas rikthimit të çmendur nd...
Arrestohen dy kosovarë në Maqedoni, dyshohen se transportoni...
Policia ekstradon nga Zvicra të dyshuarin për “Dhunim”
Policia spanjolle kundër korrupsionit bastis selinë e partis...