Shqipëria bllokon rrushin e Kosovës? Ministria: Nuk është e vërtetë

18:24 | 12 Shtator 2015
Gita

Pas publikimit të lajmit se, Shqipëria ka vendosur barriera për vreshtarët nga Kosova, reagoi Ministria shqiptare e Bujqësisë. Homologu i Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar në agjencinë “Koha Ditore” se, Shqipëria nuk lejon rrushin e Kosovës të depërtojë në tregun e saj.

Ditën e sotme, Ministria shqiptare e Bujqësisë përmes një deklarate për shtyp u shpreh se nuk ka asnjë sinjalizim për bllokim mallrash të palës kosovare.

“Duke marrë shkas nga një shkrim i botuar në një media kosovare, Ministria e Bujqësisë nëpërmjet ekspertëve të AKU-se në pikat kufitare me Kosovën, siguron opinionin publik se nuk ka asnjë sinjalizim për bllokim mallrash, specifikisht të rrushit. Dy ditë më parë në takimin dypalësh të zhvilluar në Tiranë, ministrat e bujqësisë e te dyja vendeve kanë rakorduar për njësimin e procedurave, dokumentacionit dhe referencave për një lëvizje sa më të shpejt të mallrave në të dyja anët e kufirit”, njoftoi sot Ministria e Bujqësisë.

Ministri i Kosovës: Shqipëria bllokon vreshtarët

“Fqinjët janë duke na hapur shumë problem në eksport. Vreshtarët tanë kanë probleme me eksportimin e rrushit të tyre edhe në Shqipëri. Kanë ndodhur 100 bllokada për të shitur rrushin në Shqipëri”, ka thënë minsitri i Bujqësisë në Kosovë, Memli Krasniqi.

Ai ka tërhequr paralele se si autoritetet e Kosovës aplikojnë procedura super të thjeshtëzuara për produktet e prodhuara në Shqipëri.

“Ne blejmë rrush në Shqipëri pa asnjë problem. Në fakt AVUK-u bashkë me Doganën ia ka lehtësuar punën shumë, duke ia dërguar inspektorët në Morinë”, ka thënë Krasniqi.

“Ndonjëherë këta (AVUK dhe Dogana) janë aq liberalë, saqë nuk ua vëzhgojnë kriteret edhe kushtet e mjeteve transportuese, thjesht për të lehtësuar tregtinë me Shqipërinë dhe për t’i respektuar marrëveshjet dhe parimet, të cilat ne i kemi shprehur për të pasur një treg funksional dhe unifikues, por që fatkeqësisht nuk po gjejmë qasjen e njëjtë”, deklaroi ministri për “Koha Ditore”.

Ministri ka paralajmëruar se problemet e vreshtarëve do të diskutohen në vizitën që do t’i bëjë Shqipërisë delegacioni i Kosovës në krye me Presidenten Atifete Jahjaga.

 

Shpërndaje në rrjete sociale