Deputetja e Lëvizja Vetëvendosje, Shqipe Selimi, gjatë seancës solemne për Epopeja e UÇK-së, theksoi se Prekazi dhe familja Jashari i dhanë leksion botës mbi çmimin e lirisë dhe vlerën e sakrificës.
Gjatë fjalës së saj para deputetëve, Selimi nënvizoi se lufta çlirimtare e Kosovës duhet të mbrohet si vlerë, sidomos kur sulmohet pastërtia e saj.
“Në historinë tonë të lavdishme, 5 marsi dhe Epopeja e UÇK-së janë pikëtakimi ynë ku bashkohemi dhe reflektojmë mbi unitetin dhe vetëdijen kombëtare. Kjo datë mbledh njerëzit e mirë dhe patriotë, pa dallime. Shembulli i sakrificës dhe heroizmit të Adem Jashari, i familjes Jashari dhe i luftëtarëve të UÇK-së, na bën të jemi të vetëdijshëm se sa i shtrenjtë është atdheu dhe si duhet t’i dalim zot çdoherë kur ka nevojë për ne. Prekazi dhe Jasharët i dhanë leksion botës se sa e shtrenjtë është liria dhe sa e madhe është sakrifica për të. Familja Jashari është shembull për të gjithë njerëzimin”, tha Selimi.
Selimi shtoi se kujtimi për dëshmorët e mban të freskët dhe e bën popullin të paluhatur në rrugën e drejtë për të ecur përpara. “5, 6 dhe 7 marsi nuk i takojnë vetëm të kaluarës sonë. Epopeja e UÇK-së është edhe e sotmja, që na rrëfen të ardhmen tonë të dinjitetshme. Lufta e lavdishme çlirimtare ka nevojë të mbrohet si vlerë, sidomos kur sulmohet pastërtia e saj, kur sulmohet lufta e drejtë dhe rrjedhjet e saj, edhe kur tentohet të rishkruhet historia jonë e lavdishme”, tha ajo.
Në fund, deputetja pati edhe një mesazh për ata që tentojnë të rishkruajnë historinë e UÇK-së nëpër salla gjyqi, aty ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kushdo që tenton ta rishkruajë historinë e UÇK-së dhe të Adem Jasharit, përgjigja jonë është e qartë: ne të gjithë jemi UÇK, ne të gjithë jemi Jasharët”, përfundoi Selimi.
Ikonat e futbollit në një vend, Ronaldinho, Kaka dhe Adriano...
IQMT rrit kontrollet dhe konfiskon produkte jashtë standarde...
Arrestohen tre persona të dyshuar për vjedhje në Prishtinë
Plani operativ “Stop Drogave” në Prishtinë/ Arrestohen 8 per...
Nafta në Kosovë me çmim të njëjtë si dje
Mbi 1,700 gjoba në një javë në rajonin e Ferizajt, policia k...