“Që 8 vite po shëtitet kjo lëndë në tri prokurori, në Prokurorinë e Prizrenit, Gjilanit dhe Prishtinës, e nëse vazhdon kështu do të zgjatë edhe 8 vite tjera”, ishin fjalët e avokatit Ragip Zeneli, pas shtyrjes së seancës në mungesë të një prokurori. Zeneli është përfaqësues i të dëmtuarit Rrahim Bajrami, i cili sipas aktakuzës, në vitin 2009 ishte shpallur i vdekur nga dy të akuzuarit në këtë rast, ish-gjyqtari Sami Gërdovci dhe avokati Mirman Vehapi.
E përveç mungesës së një prokurori, në seancën e shqyrtimit të dytë nuk u paraqit as i pandehuri Vehapi, për të cilin gjykata nuk kishte prova se e kishte pranuar ftesën.
Gjykatësi Elmaz Zenuni i cili e kishte trashëguar këtë lëndë në shtator të vitit 2016, tha se përmes një shkrese i ishte drejtuar kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, dhe kishte kërkuar që të përfaqësohet lënda nga kjo prokurori, meqë e njëjta edhe e ka ngritur këtë akt akuzues. Zenuni tha se nga kryeprokurori Shala, kishte marrë përgjigje përmes telefonit, ku i kishte thënë se kompetenca për përfaqësimin e kësaj aktakuze i ka kaluar Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Ky gjykatës tha se edhe një herë do t’i drejtohet përmes një shkrese kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e nëse nuk do të marrë përgjigje, do t’i drejtohet me shkrim edhe kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.
Gjykata morri vendim që kjo seancë të shtyhet për një afat të pacaktuar, deri sa të caktohet prokurori që do ta përfaqëson këtë aktakuzë.
Sipas aktakuzës të ngritur nga ish-Prokuroria Komunale në Prizren, i pandehuri Sami Gërdovci, si gjyqtar ekzekutues në Gjykatën Komunale në Prizren ka kryer veprën penale “nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore”. Ndërkaq, i pandehuri tjetër Miriman Vehapi, në cilësi të avokatit ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i besimit”. Ne dispozitivin e parë të aktakuzës thuhet se Gërdovci, në cilësi të gjyqtarit merr vendim të kundërligjshëm gjyqësor, me të cilin aprovon propozimin e avokatit Vehapi, si i autorizuar i të paditurit në një çështje kontestimore, Budimir Steviq, dhe abrogon masën e përkohshme të caktuar me aktvendim në bazë të propozimit të paditësit Rrahim Bajrami. Kjo duke u bazuar në kërkesën gojore të avokatit Vehapi, me arsyetimin se i dëmtuari Bajrami ka vdekur. Sipas aktakuzës, gjyqtari duke mos vërtetuar me asnjë provë relevante këtë fakt, e shfuqizon aktvendimin mbi caktimin e masës së përkohshme, duke e marr si të tillë një vendim të kundërligjshëm gjyqësor. Ndërkaq në dispozitivin e dytë thuhet se konstatimi i avokatit se paditësi në atë çështje kontestimore kishte vdekur, ishte bërë në zyrën e gjyqtarit Gërdovci. E gjithë kjo, sipas aktakuzës, është bërë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, të dobisë pasurore për të pandehurin Vehapi, dhe shkaktimin e dëmit për personin tjetër, Rrahim Bajrami.
Bartja e lëndës nëpër gjykata
Aktakuza në fjalë është përpiluar pas afër 3 vite e 7 muaj nga kryerja e veprës penale. Kjo lëndë fillimisht i caktohet Gjykatës Themelore në Prizren, përkatësisht i ndahet gjyqtares Raima Elezi. Më 16 nëntor 2012 është caktuar seanca e parë për këtë çështje, por e njëjta nuk është mbajtur, dhe më palët nuk janë ftuar nga gjykata. Kështu, më 22 janar 2014, i dëmtuari Rrahim Bajrami dërgon një parashtesë-urgjencë te kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha, nga i cili kërkon arsyet e prolongimit të kësaj çështjeje dhe që kjo lëndë të shqyrtohet sa më parë të jetë e mundur.
Pasi nuk ka marrë asnjë përgjigje, më 30 janar 2014, paditësi dërgon urgjencë në Gjykatën Supreme të Kosovës, nga e cila merr përgjigje më 13 mars 2014, ku thuhej se Gjykata e Apelit e Kosovës ka marrë aktvendim që lënda të kalojë në kompetencë të Gjykatës Themelore në Gjilan. Kjo me arsyetimin se njëri nga të akuzuarit kishte parashtruar kërkesë për përjashtimin e gjyqtarëve të Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prizren, dhe lënda t’i delegohet një gjykate tjetër për shqyrtim. Pra, kjo për faktin se i pandehuri Miriman Vehapi ka punuar një kohë të gjatë si gjyqtar në gjykatën e lartpërmendur.
Në Gjykata Themelore në Gjilan, lënda fillimisht i është caktuar gjyqtarit Naim Haliti i cili nuk ka mbajtur asnjë shqyrtim, dhe më pas ka kaluar te gjyqtarja Emine Salihu, e cila po ashtu nuk ka mbajtur asnjë shqyrtim. Kështu, lënda kalon te gjyqtari i tretë, Hasan Sadiku. Ky i fundit i kontaktuar nga i dëmtuari Bajrami, e ka caktuar seancën fillestare me datën 25 shkurt 2015, në ora 10:30. Mirëpo, disa ditë para mbajtjes së shqyrtimit të caktuar, përkatësisht më 30 janar 2015, Gjykata Themelore në Gjilan e njofton të dëmtuarin se duke vepruar sipas qarkores së Gjykatës Supreme të Kosovës, lënda i është dërguar Gjykatës Themelore në Prishtinë për vendosje.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 10 gusht 2016 e kishte caktuar shqyrtimin fillestar, i cili ishte shtyrë në mungesë të një prokurori për të përfaqësuar këtë lëndë. Megjithatë, në seancën tjetër të caktuar me 15 shtator të atij viti, dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm, në prezencë të prokurores Ikramije Bojaxhiu. Por kjo e fundit, nuk u paraqit në gjykatë pastaj në shqyrtimin e dytë, i caktuar të mbahen me 19 tetor 2016. E më pas Bojaxhiu, ka lënë pozitën e prokurores, pasi që prej 1 janarit 2017, është angazhuar me punë të përhershme në kuadër të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve./BetimipërDrejtësi/
Policia e ndjek nëpër mal dhe e kap të dyshuarin që e dogji ...
Grabitje e armatosur në një barnatore në Pejë, dy të dyshuar...
Juventusi interesohet për shërbimet e portierit të klubit të...
Kurti: Kriminelët e mëdhenj serb ose janë në burgun e Dyzit,...
Kurti “punëson” gjyshërit: Nga 100 euro shtesë për ata që ku...
Isak dyshohet se e ka thyer këmbën