Shoqata e Prokurorëve reagon ndaj lajmit për intervistimin e Besim Kelmendit nga Prokuroria Speciale

15:49 | 19 Nëntor 2025
Q L

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka reaguar pas publikimit të një artikulli më 19 nëntor 2025, me titull “Ekskluzive: Ish-asistenti i Danica Marinkoviqit, Besim Kelmendi intervistohet sot nga Prokuroria Speciale”.

Shoqata thotë se raportimi i bërë nga media që e ka publikuar këtë lajm ka qenë i pasaktë dhe i rrezikshëm për krijimin e perceptimeve të gabuara në opinion.

Në reagimin e tyre thuhet se informata për intervistimin e prokurorit Besim Kelmendi është keqinterpretuar dhe paraqitur në mënyrë që mund të krijojë “narativa që nuk qëndrojnë në realitet”, shkruan Arbresh.info.

Shoqata thekson se “Prokurori i Shtetit paraqitet para çdo organi kompetent sa herë që kërkohet, në cilëndo cilësi procedurale, dhe kjo është pjesë normale e funksionimit të sistemit të drejtësisë”, duke nënvizuar se një veprim i tillë nuk përbën ngjarje të jashtëzakonshme.

Shoqata ka kritikuar mënyrën e raportimit, duke kërkuar nga media që ka publikuar lajmin që të respektojë standardet profesionale dhe të shmangë spekulimet.

“Publikimi i informacioneve të pavërtetuara dhe mënyra e paraqitjes së tyre në opinion rrezikon të krijojë perceptime të dëmshme ndaj Prokurorit të Shtetit dhe është i papranueshëm”, thuhet më tej në reagim.

Po ashtu, Shoqata e Prokurorëve ka rikujtuar se Prokurori i Shtetit e ushtron funksionin e tij “me profesionalizëm, pavarësi dhe integritet”, duke paralajmëruar se do të reagojë çdo herë kur cenohet dinjiteti profesional i prokurorëve.

Sipas tyre, raportimet e pasakta dhe përdorimi i rasteve procedurale “për qëllime sensacionaliste” janë të papranueshme.