Sherifi: Dërgimi i projektligjeve për Specialen në Kuvend shkelë kushtetutën

18:40 | 19 Qershor 2015
M. A.

Dërgimi i Projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Projektligjin për mbrojtje juridike dhe mbështetje financiare të personave të akuzuar potencial, po konsiderohet kundër kushtetues nga politikanët nga opozita.

Bilall Sherifi nga partia e Fatmir Limajt pretendon se pa ndryshimet kushtetuese, Qeveria nuk mund të dërgojë këto projektligje në Kuvend.

Sekretari i Nismës për Kosovën, ka thënë se asnjë projektligj nuk mund të shkojë në Kuvend, madje as të diskutohet në Qeveri pa u ndryshuar Kushtetuta, meqë secili ligj duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën.

Ai thotë se me këtë veprim, Qeveria ka dërguar në Kuvend projektligjet që do të jenë në harmoni me një Kushtetutë të ardhshme e cila do të ndryshohet, që do të thotë është në kundërshtim me aktin më të lartë juridik në vend.

“Konsiderojmë se pak është të thuhet se Qeveria e Kosovës ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, kjo është një masakër që po i bëhet Kushtetutës. Bile më askush nuk do as të dëgjojë as të ketë parasysh se duhet të udhëhiqet vetëm nga Kushtetuta si akti me i lartë juridik. Më lejoni të citoj nenin 16 të Kushtetutës çka thotë: Neni 16 thotë se Kushtetuta është me i lartë juridik i Kosovës, ligjet dhe aktet tjera juridike duhet të jenë në pajtim me këtë Kushtetutë. Pra nëse keni parasysh këtë nen dhe paragrafin 1 të Kushtetutës i bie që Qeveria nuk ka të drejtë fare as ta fus në rend dite një ligj, një akt, një normë për të cilën nuk ka mbështetje në këtë Kushtetutë, jo në një Kushtetutë të ardhshme e cila mund në të ardhmen të ndryshohet. Kjo është e papranueshme”, tha Sherifi, për Kosovapress.

Sherifi e ka konsideruar shkelje kushtetuese edhe nëse trupat e Kuvendit do t’i shqyrtojnë projektligjet e dërguara nga Qeveria në Kuvend.

“Tash konsideroj se nëse Kuvendi përmes trupave të saj, do të trajtojë një projektligj të proceduar nga Qeveria në mënyrë ilegale sërish edhe ata do të bëjnë një shkelje të rëndë sepse rendi procedural e kërkon që një herë të ndryshohen amendamentet, një herë të pësojë ndryshime Kushtetuta, të hyjnë në fuqi të gjitha ndryshimet kushtetuese, tek pastaj hapet rruga për të miratuar aktet tjera të cilat do të ishin konform kushtetutës së ndryshuar”, theksoi ai.

Sipas Sherifit, edhe kapitulli 6 i Kushtetutës, neni 92 thotë se Qeveria merr vendime në pajtim me këtë Kushtetutë dhe me ligje, propozon projektligje dhe ndryshimin e ligjeve ekzistuese.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve që janë pjesë e komisioneve, që fare mos ta diskutojnë para se Kuvendi ta ketë ndryshuar Kushtetutën, për të cilën Nisma angazhohet të mos ndodhë.

Sherifi tha se janë në fazën e konsultimeve për veprimet që do t’i ndërmarrin për të parandaluar miratimin e ndryshimeve kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. Ai theksoi se do t’i përdorin të gjitha mjetet e mundshme demokratike që ka në dispozicion opozita që të pengojnë miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Për hapat në parandalimin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, ka paralajmëruar edhe Lëvizja “Vetëvendosje”, lideri i së cilës tha gjatë ditës se do t’i përdorin të gjitha mjetet demokratike për ta kundërshtuar këtë.

Shpërndaje në rrjete sociale