Shënohet Epopeja e UÇK-së, tri ditë aktivitete në mbarë vendin

07:07 | 5 Mars 2026
E.K

Me rastin e shënimit të 28 vjetrit të Epopesë së UÇK-së, më 5, 6 dhe 7 mars institucionet shtetërore kanë organizuar një mori aktivitetesh.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka publikuar agjendën tre-ditore me organizimet për vjetorin e Epopesë së UÇK-së, në nderim të luftës dhe rënies heroike të familjes Jashari.

Në datat 5, 6 dhe 7 mars do të ketë aktivitete të ndryshme kulturore e sportive në disa komuna të vendit.

Agjenda me aktivitete për shënimin e Epopesë së UÇK-së, për datën 5, 6 dhe 7 mars

5 Mars

08:00 – Ora e parë mësimore në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës i kushtohet Epopesë së UÇK-së;

09:00 – Mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës;

10:00 – Seancë solemne në kuvendet komunale të Republikës së Kosovës;

12:00 – Rreshtimi i kuadrateve të FSK-së në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë;

14:30 – Gara mbarëkombëtare e volejbollit për femra “Adem Jashari” në Skenderaj.

6 Mars

10:00 – Krerët e shtetit homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz;

10:00–12:00 – Homazhe nga përfaqësuesit komunalë në Kompleksët Memoriale të dëshmorëve;

13:00 – Ekspozitë “Tri ditë që ndryshuan historinë” e organizuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës;

19:00 – Akademi përkujtimore për Epopën e UÇK-së, me pjesëmarrje artistike nga Opera dhe Filarmonia e Kosovës në Pallatin e Rinisë (Salla e Kuqe);

21:00 – Mbyllja e ceremonisë.

7 Mars

18:00 – Nata e Zjarreve në Prekaz;

18:15 – Ndezje e flakadanëve në shtatë rajonet e Republikës së Kosovës;

19:00 – Program artistik në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.

Kujtojmë se sulmi i gjerë që Serbia e kishte ndërmarrë në Drenicë për të eliminuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte kthyer në një rrethim të hekurt për Lagjen e Jasharëve në Prekaz, që ishte qendra dhe simboli i luftës për liri në Kosovë.

Kjo ngjarje e rëndë më 5, 6 e 7 mars të vitit 1998 kishte ngritur çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore, dhe vazhdon të jetë një kujtim i lavdishëm për historinë e kombit tonë.

Shpërndaje në rrjete sociale