Shala (IHMK): Mbyllja ka sjellë përmirësim të cilësisë së ajrit për 50 për qind

01:17 | 13 Nëntor 2020
Trina Galanxhi

Migjen Shala, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka folur për ndikimin e faktorëve në cilësinë e ajrit.

Shala, në një intervistë në Edicionin Special në Klan Kosova, tha se stina e dimrit ndikon në cilësinë e ajrit.

“Janë dy faktorë që ndikojnë në cilësinë e ajrit. Janë faktori njeri në periudhën e dimrit dhe kushtet klimatike janë të pafavorshme për ajrin. Dhe këta dy faktorë, sa herë që vjen puna e dimrit, e vështirësojnë gjendjen me cilësi të ajrit”.

Ai shtoi se nëse institucionet iu përmbahen standardeve, cilësia e ajrit do të përmirësohet.

“Ministria e Ambientit po i kryen obligimet e veta, konkretisht Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bashkë me Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit, ku po bën monitorimin e cilësisë së ajrit përmes termostacioneve të cilët janë edhe në kohë reale ku mund t’i qaset informacioneve secili qytetar që do. Ne si ministri i kemi obliguar secilin institucion që t’i plotësojë standardet. Në këtë rast, p.sh. Ministria e Tregtisë që të kontrollojë cilësinë e derivateve, Ministria e Transporteve të kontrollojë shkarkimin e gazrave, si dhe termocentralet t’i respektojnë standardet me shkarkime”.

Shala, ndër të tjera, tha se mbyllja e ka përmirësuar cilësinë e ajrit për 50 për qind.

“Nëse secili institucion i kryen obligimet e veta, do të ndryshojë edhe cilësia e ajrit. Gjatë mbylljes kemi pasur për 50 përqind përmirësim të gjendjes dhe cilësisë së ajrit. Nëse do të ndodhte edhe një mbyllje, do të kishim një përmirësim të cilësisë së ajrit”.