Mbi 80 për qind e qytetarëve të Serbisë nuk do të mbështesnin pavarësinë e Kosovës edhe sikur një gjë e tillë të ishte kusht për anëtarësimin e shtetit serb në Bashkimin Evropian, tregon një sondazh i Institutit për Çështje Evropiane dhe i agjencisë Ninamedia në Beograd.
Sondazhi, i realizuar nga data 16 deri më 20 mars, me 1,203 të anketuar, nxjerr në pah se një e treta e tyre do të mbështesnin ndarjen e Kosovës, ndërsa 56 përqind jo.
Pranimin e Kosovës nga Qeveria aktuale e Serbisë ose ndonjë e ardhshme e pret 26 përqind e qytetarëve serbë të anketuar, ndërsa 55 përqind e tyre konsideron se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
Vetëm 11 përqind e të anketuarve do ta mbështesnin pavarësinë e Kosovës si kusht për anëtarësim në BE, ndërsa 81 përqind jo.
Tibor Moldvai, nga Instituti për Çështje Evropiane, tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se qytetarët e arsimuar janë më të prirur për të mbështetur idetë që, sipas tij, do të zgjidhnin përfundimisht statusin e Kosovës, qoftë ai pozitiv apo negativ për Serbinë.
“Edhe pse 81 përqind e qytetarëve nuk do të mbështesnin pavarësinë e Kosovës si kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE, kur flasim për gjeneratat e reja, ky numër është për 10 deri në 15 përqind më i ulët”, tha Moldvai.
Edhe disa qytetarë në Beograd, të anketuar nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, ndajnë qëndrimin e shumicës që tregon sondazhi i lartpërmendur.
Të pyetur se a do të mbështesnin pavarësinë e Kosovës si kusht për të hyrë në BE, ata thonë ‘jo’.
“Kurrë. Serbia pa Kosovën nuk është askush dhe asgjë”, tha Ilija Zhivkoviq.
“Jo, Kosova ka qenë gjithmonë hapësirë e jona”, tha një qytetare tjetër me emrin Lilana.
Gjetjet e sondazhit nuk janë befasuese për Dragan Popoviqin, nga Qendra për Politika Praktike në Serbi.
“Kurrë në këtë shoqëri nuk ka pasur debat të vërtetë se përse Serbia e ka humbur Kosovën, çfarë ka ndodhur atje, përse janë thyer lidhjet midis dy shoqërive e të tjera. Në këtë kontekst dhe duke shtuar këtu rritjen e tensioneve dhe forcimin e retorikës patriotike në muajt e fundit, nuk mund të ketë rezultate të tjera të sondazhit”, tha Popoviq.
Në javët e ardhshme pritet që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të shpallë para opinionit propozimin e tij për, siç thuhet, zgjidhjen e problemit të Kosovës.
Para Prishtinës dhe Beogradit është edhe obligimi për të nënshkruar një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve./REL/
Tërmet në Kosovë në orët e hershme të mëngjesit
Autobusi me 40 student bie në humnerë në Kolumbi, 16 të vdek...
“E kam vërejt që është ftohë”, Edi dhe Dolce drejt ndarjes?
Moti sot në Shqipëri me ulje të temperaturave
Punime në rrjetin, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje t...
Sulmi me 16 viktima në Australi, Kryeministri propozon ligje...