Samiti në Zvicër, Begaj kërkon njohjen e Kosovës nga Moldavia

14:07 | 16 Qershor 2024
E.H

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë qëndrimit në Bürgenstock të Zvicrës, ku ndodhet për Samitin e Paqes në Ukrainë, u takua me disa nga homologët e tij botërorë.

Veç bisedave për angazhimin kolektiv në gjetjen e rrugës për t’i dhënë fund konfliktit, Presidenti i Shqipërisë ka trajtuar në këto takime edhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke vijuar lobimin për zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, të cilën e cilësoi një faktor stabiliteti në rajon, përcjell Arbresh.info

Gjatë takimit me presidenten e Moldavisë, Maia Sandu, Begaj rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për aspiratën e integrimit evropian të Moldavisë.

Kreu i shtetit shqiptar i përcolli Sandus kërkesën për rishqyrtimin e vendimit për njohjen e Kosovës dhe mbështetjen për anëtarësimin e saj në organizmat ndërkombëtarë, ndërsa vlerësoi faktin që Moldavia po kontribuon me trupa në misionin paqeruajtës të KFOR-it.

Çështjen e Kosovës, Begaj e trajtoi edhe gjatë takimit me homologun afrikan të Kenias, William Ruto, të cilit i përsëriti kërkesën për njohjen zyrtare, duke theksuar se një lëvizje e tillë i shërben zgjerimit të frymës së paqes dhe sigurisë.

“Shqipëria dhe Kosova, janë në të njëjtën linjë të politikës së bashkëpunimit kolektiv për shmangien e konflikteve”, u shpreh Begaj.

Presidenti i Shqipërisë zhvilloi, gjithashtu, takime me homologët e Kosovës, Malit të Zi, Sllovenisë, si dhe me drejtues të organizatave që marrin pjesë në Samitin për Ukrainën, përfshi edhe Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme