Rritja e çmimit të naftës deri në 1.80 centë ka alarmuar fermerët dhe ekspertët, të cilët paralajmërojnë se kostoja e lartë po rrezikon mbjelljet pranverore. Ata kërkojnë ndërhyrje emergjente nga Ministria e Bujqësisë për të shmangur dështimin e sezonit.
Kur sezoni i mbjelljeve pranverore po afron, bujqësia kosovare po përballet me një goditje të rëndë ekonomike. Rritja e çmimit të naftës në 1.80 centë ka vënë në pikëpyetje leverdinë e punës në arë. Fermeri Habib Dina thotë për Radio Kosovën se nëse shteti nuk ndërhyn me subvencionimin e naftës, interesi për këtë sektor do të zbehet. Ai bën një llogari të thjeshtë: sot duhen të shiten deri në 11 kilogramë grurë për të blerë vetëm një litër naftë.
“Kjo është rritje enorme, nëse shteti nuk ndërmerr ndonjë hap konkret sidomos këtë vit, atëherë interesimi për bujqësi do të zbehet shumë, dhe ky sektor me të vërtetë edhe subvencionet do të ndikojnë negativisht. Qeveria duhet të ndërhyjë që subvencionimin e naftës ta pikojë në subvencionet këtë vit, të paktën të japë një motiv për fermerët që të merren me këtë veprimtari”, tha Habib Dina.
Kjo kosto e lartë po ndihet me të njëjtin shqetësim edhe në qendrat grumbulluese. Feim Rexhepi, nga Qendra Grumbulluese e Bujqësisë në Rahovec, bënë të ditur se të gjitha mjetet e nevojshme për punë, apo inputet, janë shtrenjtuar deri në 50 për qind. Ai i tha Radio Kosovës se kjo do të ndikojë në rritje të çmimit të produktit final.
“Në rendiment besoj se fermerët tanë nuk do ta lënë punën mangët. Çmimet besoj se do të rriten, se me rritjen e naftës rriten edhe çmimet e tjera. Po shpresojmë se do të rritet edhe produkti final” , tha Feim Rexhepi.
Por, përtej vështirësive praktike në terren, ekspertët e shohin problemin si një zinxhir që kërcënon sigurinë ushqimore, sidomos për kulturën e misrit. Profesori Imeri Rusinovci i tha Radio Kosovës se nafta është “alfa dhe omega” e proceseve agroteknike. Sipas tij, qeveria duhet të krijojë rezerva shtetërore dhe të ndryshojë politikën e akcizës, duke bërë dallimin mes naftës për bujqësi dhe asaj për luks.
“Rritja e çmimit të naftës shton menjëherë koston e prodhimit të produktit, në këtë rast misrit ose cilado qoftë kulturë tjetër bujqësore, dhe automatikisht shton edhe koston e finalizimit të tyre ose produktin përfundimtar, sepse nuk është kosto e njëjtë të kultivosh, të mbjellësh një hektar misër në çmim të naftës 1 euro dhe atë 1.7 apo 1.8 sa është aktualisht”, tha Imeri Rusinovci.
Prodhuesit dhe profesionistët i bëjnë thirrje Qeverisë, respektivisht Ministrisë së Bujqësisë, që t’ua zgjasë dorën, sepse siç thonë ata, kostoja e lartë e prodhimit vendor do të mbetet një barrë e rëndë si për fermerin, ashtu edhe për konsumatorin./rtk
Dorëzohet në polici i dyshuari nga Suhareka, vitin e kaluar ...
Protestë në Rugovë, banorët kundërshtojnë vendimin e Pacolli...
Begaj: Mjekësia nuk është thjesht zanat, është humanizëm dhe...
Rritja e çmimit të naftës alarmon fermerët, rrezikohen mbjel...
Zelensky dakordohet me presidentin e Emirateve për bashkëpun...
Trump paralajmëron: Na kanë mbetur 3,554 objektiva për t’i g...