Rrëzimi i mocionit nga Specialja, Tërnava: Vendim i padrejtë ndaj çlirimtarëve tanë

17:46 | 16 Korrik 2025
E.G

Mytfiu Naim Tërnava ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Speciale e cila ka vendosur të hedhë poshtë mocionin e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së, duke lënë në fuqi të gjitha akuzat që rëndojnë mbi ta.

Tërnava e ka cilësuar si vendim të padrejtë dhe të ndikuar politikisht, shkruan Arbresh.info.

“Vendimi i sotëm i Gjykatës Speciale në Hagë, për të hedhur poshtë mocionin për heqjen e një pjese të aktakuzës ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, është një tjetër vendim i padrejtë ndaj çlirimtarëve tanë, të cilët prej kohësh po mbahen padrejtësisht në burg, me akuza tërësisht të sajuara dhe të pabazuara. Gjykata kishte rastin të fillonte vendosjen e drejtësisë, por për fat të keq mori një vendim të padrejtë, të ndikuar politikisht.”

“Ne besojmë në pafajësinë e çlirimtarëve tanë dhe mbetemi me shpresë e besim se drejtësia do të triumfojë dhe se djemtë tanë do të kthehen në vendin e tyre. Mbetemi me shpresë se më në fund, Gjykata do të gjykojë mbi fakte, prova dhe argumente – e jo mbi sajesa dhe hamendësime.”

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim për të rrëzuar në tërësi mocionin e mbrojtjes lidhur me rrëzimin e disa fakteve materiale që kanë të bëjnë me akuzat në aktakuzë që lidhen me ngjarje që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës, në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Gjykata Speciale refuzon mocionin e mbrojtjes së krerëve të UÇK-së – të gjitha akuzat mbeten në fuqi

Shpërndaje në rrjete sociale