Rreth 500 studentë të UP-së do të kryejnë punë praktike në MKRS

16:16 | 13 Korrik 2016
Arbresh.info

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës për të angazhuar 500 studentë të këtij universiteti në MKRS për të kryer punë praktike.

Në bazë të memorandumit, i cili hyn në fuqi më 1 janar 2017, studentët që do të angazhohen në këtë institucion do të paguhen 15 deri në 18 euro në ditë.

Rektori i UP-së, Marjan Dema tha se angazhimi i studentëve për punë praktike nëpër institucione të ndryshme është synim i këtij menaxhmenti që nga dita e parë.

 

“Faleminderit shumë që na e keni dhënë këtë mundësi shumë të mirë, ku 500 studentë do të përfitojnë punë praktike. Është një sferë që ky menaxhment por sigurisht edhe menaxhmentet e përparshme i kanë dhënë rëndësi të madhe sepse lidhja e arsimit dhe shkencës me praktikën është një synim i çdo universiteti dhe në kuadër të saj edhe UP është duke i bërë hapat e vet që studentët e UP-së ta kenë mundësinë që njohuritë e tyre ti zbatojnë në praktikë. Mundësia më e mirë është pikërisht kjo që ministria juaj në krye me ju na e keni mundësuar, prandaj unë ju falënderoj, shpresoj që të gjejmë edhe fusha tjera ku mund të bashkëpunojmë”, ka deklaruar rektori.

Kurse, ministri i MKRS-së, Kujtim Shala, tha se studentët fillimisht do të përzgjidhen nga pesë fakultete të ndryshme të UP-së por duke shikuar mundësinë që të vazhdohet edhe me njësi tjera akademike.

 

“Pesë fakultetet e para janë Fakulteti i Filozofisë, i Filologjisë, i Edukimit, i Arkitekturës dhe i Arteve. Me departamentin e antropologjisë e kemi një marrëveshje të veçantë bashkëpunimi e cila është nënshkruar më herët ndërsa për kriteret e rekrutimit ne do të punojmë dhe do të bëjmë gati dokumentacionin sepse ky memorandum do të hyj në fuqi më 1 janar. Do të thotë deri atëherë ne do të garantojmë edhe buxhetin edhe dokumentacionin duke përfshirë edhe kritere e rekrutimit”, tha Shala.

Ministri u shpreh se studentët do të kompensohen për punën e tyre kurse llojin e angazhimit do ta përzgjedhin vet varësisht nga drejtimet e studimeve që i kanë.

 

“Varet prej interesimit të studentëve, varësisht prej fushës në të cilën ata studiojnë dhe varësisht secili institucion iu intereson më shumë, do të thotë këtu përfshihen të gjitha institucionet nacionale të kulturës dhe trashëgimisë kulturore dhe qendrat rajonale të trashëgimisë kulturore, pagesa me sa e di do të jetë 15 deri në 18 euro për një ditë pune ose praktike. Sipas memorandumit një studentë do të ketë të drejtë që brenda javës të punoj dy ditë pune, do të thotë që të mos rrezikoj edhe punën e tij që e ka parësore në universitet që të ndjek leksionet, studimet dhe të gjitha”, deklaroi ai.

Memorandumi hyn në fuqi më 1 janar 2017 dhe do zgjasë rreth 3 muaj.

Shpërndaje në rrjete sociale