Google ADS

Rrëfimi i një gruaje nga Kosova e dhunuar 8 muaj nga forcat serbe

16:13 | 9 Mars 2015
Arbresh.info

“Më kanë dhunuar, më kanë rrahur mua dhe fëmijët, vjehrrën dhe vjehrrin. Na kanë bërë çmos zi e më zi”-thotë viktima

Prishtinë 8 mars 2015 – Duke kërkuar drejtësi, një grua nga Kosova rrëfeu historinë dhe vuajtjet e përjetuara gjatë luftës në Kosovë.

Me dhimbje thotë se nuk e di as vetë se sa herë është dhunuar. Vuan nga plagët në trup të shkaktuara nga paramilitarët serbë”-transmeton rtv21.

“Më kanë dhunuar, më kanë rrahur mua dhe fëmijët, vjehrrën dhe vjehrrin. Na kanë bere çmos zi e më zi. Sot jam krejt e lënduar. Jam krejt e pafuqishme, krejt barku kur të çohem në këmbë më duhet me i shti dorën poshtë barkut për me i fut zorrët brenda.

Kur të ulem nuk mundem me u çuar në këmbë. Problem e kam shumë. Nuk arrij me fjet, sepse kam dhimbje”.

Kjo grua tregon për vuajtjet tetë mujore së bashku me fëmijët dhe anëtarët e tjerë të familjes. Këto dëshmi thotë se i ka paraqitur në EULEX, duke ju treguar edhe emrat e dhunuesve, por thotë se ky mision nuk bëri asgjë.

“Na kamë ardhur paramilitarët e kemi pas afër se nuk e di qysh ka ndodhë deri dy tri herë na kanë hy brenda. U kanë Bozha u ardhur me shokë të vet. U ardhur me raki në dorë, nuk ka ditur çka po bënë. I nijsha tu i thirr në emër tjerët vishin grup. U kan Bobi, si u bentë mbrëmje hyke mrena”.

Derisa EULEX-i po dyshohet të jetë i përfshirë në disa skandale, të korrupsionit, e tash së fundi dyshohet edhe për kurdisje të gjykimit në rastin ”Kleçka”, ky mision po vlerësohet se ka dështuar të gjejë dhunuesit e grave në Kosovë.

Kemi provuar të marrim përgjigje nga zyrtarë të EULEX-it, por edhe pas tri ditësh pritjeje nuk i janë përgjigjur pyetjeve tona.

Të dështuara këtë mision dhe organet kosovare të drejtësisë, po i cilëson Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

“Nuk më mbetet tjetër të them vetëm se në fakt gjyqësori kushdo qoftë UNMIK-u, EULEX-i kanë dështuar të procedojnë lëndët për krime lufte që kanë të bëjnë me përdhunim seksual dhe kjo është shqetësuese”, thonë nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Përfaqësues të organizatave të grave kërkojnë përkrahje më të madhe nga shteti për gratë e dhunuara gjatë luftës.

“Çdo ditë kemi raste, kontakte kemi shumë të mira me rastet. Jemi duke i verifiku edhe me EULEX-in.

Janë duke i padit në EULEX, numri tyre është shumë i madh, por përkrahje kanë shumë pak nga shteti”.

Në Kosovë mendohet të jenë dhunuar rreth 20 mijë femra. Që nga paslufta janë ngritur 4 aktakuza për dhunim seksual gjatë luftës.

Por, të gjithë të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm. Pas 16 vjetësh nga dhunimi kjo grua kërkon drejtësi./B.S

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme