Rrëfimi i gazetarit serb: Të dyshuarit për vrasjen e Ivanoviqit janë në Veri

07:27 | 25 Qershor 2018

Një gazetar nga Serbia ka rrëfim të veçantë rreth vrasjes së Oliver Ivanovicit në Mitrovicë.

Stefan Cvetkovic, thotë se po heton rastin tash e sa muaj dhe se faktet çojnë te Mafia në veri të Kosovës.

“Pa dyshim e kemi dëshmuar se ka lidhje direkte në mes të djegies së makinës së Ivanoviqit para zgjedhjeve dhe vetë ekzekutimit të tij. Të dhënat tona thonë se bëhet fjalë për persona të njëjtë që i kanë kryer aktet dhe janë urdhërdhënësit’, tha ai për Klan Kosovën.

Në fakt deklarime si këto e kanë vënë në rrezik.

Ai pretendon se para disa javësh atë e rrëmbyen disa njerëz me maska afër shtëpisë së tij në Vojvodinë ku e mbajtën 30 orë.

Por autoritetet serbe kanë thënë se po e hetojnë tërë këtë ngjarje duke mos i besuar versionit të Cvetkoviqit.

Duke u kthyer te rasti i Ivanoviqit, ai thotë se faktet tregojnë se mafia në veri të Kosovës ka gisht në gjithë atë që ngjau me 16 janar në Mitrovicë.

“Kemi të bëjmë me struktura të forta kriminale në çdo pikëpamje. Nga shumat e larta të parave që ata i përfitojnë nga resurset e tjera, për fat të keq, kontaktet e tyre tregojnë se korrupsioni ka bërë të vetën. Ata kanë ndihmës dhe njerëz që u japin informacione nga vetë strukturat që duhet të bëjnë hetimin’, shtoi ai.

Fjalën këtu gazetari serb e ka për policinë e Kosovës në veri ku sipas tij ka zyrtarë policorë nga niveli i ulët i menaxhimit që janë lidhur fort me mafien.

“Ekzistojnë disa persona të cilët dyshohet se kanë lidhje me likuidimin e Ivanoviqit. Mu këta njerëz gjenden në listën e të kërkuarve të disa organeve shtetërore ne Serbi. Ata lëvizin nga territori në territor. Të njëjtit në veri të Mitrovicës jetojnë lirshëm’, tha Cvetkoviq.

Këto dëshmi ai do t’ua japë të enjten autoriteteve në Kosovë.

Me autoritetet e Kosovës gazetari kishte pasur rastin të takohej edhe në vendkalimin kufitar Jarinje më 19 maj ku u mbajt për disa orë.

Serbi i cili tashmë ka mbrojtje 24 orëshe në Serbi dhe në Kosovë sa herë që vjen, tha se autoritetet e Beogradit kanë refuzuar t’i marrin parasysh informacionet e tij për rastin Ivanoviq duke thënë se në Kosovë ata nuk e kanë pushtetin.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara