Rivarroset Myrteza Dylhasi nga Gjakova, i zhdukur gjatë luftës në Kosovë

20:11 | 6 Mars 2026
Q L

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, njofton se sot në Gjakovë u bë rivarrimi me nderime i Myrteza Dylhasit, i zhdukur më 27 mars 1999 gjatë luftës në Kosovë.

Për 27 vite Myrteza Dylhasi ishte në Listën e Personave të Zhdukur, si pjesë e grupit prej 11 qytetarësh të rrëmbyer dhe zhdukur nga forcat serbe, në rastin e njohur si rasti i ‘Shtëpisë së Familjes Qerkezi’.

Mbetjet mortore të tij u gjetën në lokalitetet përgjatë rrjedhës së lumit Drini i Bardhë. Pas ekzaminimeve mjeko-ligjore e angazhimit të vazhdueshëm të ekspertëve dhe analizave të ADN-së, u bë i mundur identifikimi dhe rivarrimi i tij me dinjitet.

Nga i njëjti grup, gjashtë persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, ndërsa familja Dylhasi mbetet në pritje edhe për zbardhjen e fatit të Skender Dylhasit, babai i Myrteza Dylhasit.

“Ky rast dëshmon se procesi i kërkimit vazhdon dhe se përkushtimi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur mbetet i palëkundur deri në ndriçimin e fatit të çdo personi të zhdukur. Me këtë rast, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen Dylhasi dhe nderimin më të thellë për qëndresën e tyre 27 vjeçare në kërkim të së vërtetës”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka ndarë dhimbjen me familjen pas varrimit të të ndjerit, mbetjet mortore të të cilit u gjetën pas shumë vitesh pritjeje.

“Sot, me nderime të larta, i dhamë lamtumirën e fundit Myrteza Dylhasit nga Gjakova. Pas më shumë se dy dekadash, ai u kthye për të pushuar në tokën e tij, pranë familjes dhe qytetit të tij. Ndajmë dhimbjen me familjen Dylhasi dhe përulemi me respekt para kujtimit të tij”, ka shkruar Gjini.