Rikthehet qarkullimi me një kah në rrugën “Ilaz Kodra” në Prishtinë

10:34 | 4 Maj 2026
E.H

Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik për ndryshimet e reja në qarkullimin e mjeteve motorike në lagjen Dardania, të cilat kanë hyrë në fuqi nga dita e sotme.

Sipas vendimit të Kryetarit të Kryeqytetit, rruga “Ilaz Kodra” i është rikthyer regjimit të mëparshëm të qarkullimit pas përfundimit të punimeve dhe ndërhyrjeve infrastrukturore në këtë zonë. Kjo rrugë tashmë funksionon me një kah të lëvizjes, duke filluar nga kryqëzimi me rrugën “Sali Çeku”, në drejtim të rrugëve “28 Nëntori” dhe “Ise Boletini”.

Ndërkohë, rrugët “28 Nëntori” dhe “Ise Boletini” vazhdojnë të mbeten me dy kahje të qarkullimit, pa ndryshime nga regjimi i mëparshëm.

Autoritetet komunale theksojnë se këto ndryshime janë ndërmarrë me qëllim të përmirësimit të rrjedhës së trafikut dhe rritjes së sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, veçanërisht pas përfundimit të punimeve infrastrukturore në këtë pjesë të qytetit.

Komuna u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë sinjalizimin e ri rrugor dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen e trafikut.

Shpërndaje në rrjete sociale