Reshjet e shiut nuk rritën nivelin e ujit në liqene

08:27 | 19 Qershor 2022 | Kujtesa Berisha

Pavarësisht se ditëve të fundit në Kosovë mbizotëronte moti i ligë, dhe me reshje të mëdha të shiut, kjo gjë nuk ka ndikuar në rritjen e nivelit të ujit.

Arjeta Mjeku, zëdhënëse në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit ‘Prishtina’, thotë se reshjet e shumta të ujit nuk është se kanë ndikuar në ujin e pijshëm.

Edhe pse kishte shi pothuajse çdo ditë, kjo gjë nuk ka bërë që të ndikojë as në rritjen e nivelit të ujit.

Liqeni i Batllavës, që siguron rreth 70% të furnizimit me ujë për Prishtinën është nën nivelin maksimal të kapërdredhjes (-1.04m), ndërsa liqeni i Badocit (-7.55m), nën nivelin maksimal të kapërdredhjes.

Duke e parë që nuk ka rritje të nivelit të ujit zëdhënësja nga Kompania Rajonale e ujësjellësit (KRU) Prishtina, lut qytetarët që të shpenzojnë racionalisht ujin e pijshëm.

“Nuk ka ngritje të nivelit të ujit në liqene akumuluese, andaj është shumë e rëndësishme ta shpenzojmë racionalisht”, tha Mjeku.

Pesë rezervuarët kryesorë të ujit në Kosovë janë Gazivoda, Batllava, Badovci, Përlepnica dhe Radoniqi.

Rreth 80% e të gjitha komunave të Kosovës kanë vuajtur nga mungesat e ujit në pesë vitet e fundit, në 70% të të cilave gjendja ishte rënduar në vitet e fundit.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur për arbresh.info se gjatë dy javëve të fundit në territorin e Republikës së Kosovës, mesatarisht kanë rënë rreth 32 litra për metër kub, reshje të shiut.

Sipas regjioneve Rrafshi i Dukagjinit ka pasur reshje më të mëdha me 69.2mm ndërsa ajo me më pak reshje është Anamorava me 31.1mm. Rrafshi i Kosovës me 26.5mm.

“Sasia më e madhe e reshjeve gjatë kësaj periudhe prej 99.2 mm është regjistruar në Dragash, ndërsa më e ulëta prej 8.3 mm në Gjakovë”, thonë në IHMK./arbresh.info/