Renovohet Qendra e Mjekësisë Familjare në lagjen “Kalabria”

17:44 | 16 Tetor 2024
K.B

Qendra e Mjekësisë Familjare në lagjen “Kalabria”, ka përfunduar procesin e renovimit.

Komuna e Prishtinës njofton se kjo qendër ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë pandemisë Covid-19, duke thënë se ka qenë një pikë kryesore e mbështetjes për pacientët gjatë periudhës së krizës shëndetësore, duke kontribuar në menaxhimin e situatave emergjente dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Tutje thuhet se investimet në renovimin e qendrës përfshijnë modernizimin e infrastrukturës dhe sigurimin e pajisjeve të reja diagnostikuese, duke lehtësuar punën e stafit shëndetësor dhe përmirësuar cilësinë e shërbimeve për qytetarët.

Me këtë rast, Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, tha se kjo qendër tani do të ketë ambiente shumë më të mira pune.

“Ambientet e rinovuara ofrojnë kushte më të mira për pacientët dhe stafin, ndërsa teknologjitë e reja sigurojnë shërbime më efikase dhe më të sakta” – deklaroi Rama.

Gjithashtu, qendra ka zgjeruar gamën e shërbimeve që ofron, duke përfshirë konsultimet për shëndetin e grave dhe fëmijëve, si dhe programe të reja për parandalimin e sëmundjeve. Renovimi i qendrës nuk është vetëm një përmirësim fizik, por një investim i drejtpërdrejtë në shëndetin dhe mirëqenien e komunitetit të Kryeqytetit./Arbresh.info/