Gjykata cakton një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për krime lufte në Skenderaj

23:40 | 16 Prill 2026
E.H

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Dejan Peleviq, i arrestuar në fshatin Soqanic të Leposaviqit dhe i dyshuar për krime lufte në Skenderaj.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ndaj të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Peleviq është sjellë para gjykatës për seancën dëgjimore lidhur me caktimin e masës së paraburgimit, ku edhe është vendosur që ai të mbahet në paraburgim për një muaj.

Ai dyshohet se, në cilësinë e pjesëtarit të MUP-it të Serbisë gjatë luftës në Kosovë, në mars të vitit 1999 në Skenderaj, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të organizuar si grup, ka marrë pjesë në operacione policore-ushtarake, ku janë kryer dëbime me dhunë të civilëve, si dhe janë raportuar rrahje, torturime, plagosje, vrasje të 15 civilëve shqiptarë dhe zhdukje të 16 të tjerëve në dy lokacione në Skenderaj.

Shpërndaje në rrjete sociale