Reformimi i administratës publike brenda një muaji është e pamundur

16:32 | 30 Maj 2015
M. A.

Reformimi i administratës publike si njëri ndër parakushtet në procesin e liberalizimit të vizave dhe kërkesë e kryeministrit Isa Mustafa drejtuar administratës që brenda këtij muaji të përfundoj adresimi i çështjeve që dalin nga ky proces, duket që nuk u arrit.

Madje, opozita dhe shoqëria civile thonë se ky proces pritet të jetë më i gjatë. Sipas tyre, adresimi i çështjeve që kanë të bëjnë me politizimin e administratës publike, profesionalizimin e saj, si dhe zvogëlimin e numrit të punëtorëve brenda një muaji është i pamundur.

Madje për shoqërinë civile reforma në administratën publike, ndonëse si proces ka filluar në vitin 2010, reformimi i saj po fillon tek tani.

Anëtarja e komisionit parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Medie nga radhët e Vetëvendosjes, Shqipe Pantina, në një prononcim dhënë KosovaPress ka thënë se shtresimi që iu është bërë administratës publike nga politizimi i saj, është i pamundur të adresohet brenda një muaji.

Sipas saj, kjo është vështirë të realizohet tani për faktin se qeverisa sapo ka hartuar strategjinë e re për reformimin e administratës publike.

“Vetëm hartimi i strategjisë do të marrë muaj, e lë më zbatimi i saj”, deklaroi Pantina.

Sipas Pantinës, qeveria aktuale ka dëshmuar që nuk është e interesuar të depolitizoi administratën publike, duke vendosur kështu në pozita udhëheqëse me menaxhim të mesëm dhe të lartë njerëz të kyçur nga politika.

Në anën tjetër, Fidan Kalaja nga Lëvizja Fol, ka thënë për KosovaPress se procesi i reformës në administratën publike edhe pse është kërkuar nga kryeministri Mustafa të përfundoi brenda muajit, ky proces sipas tij sapo ka filluar.

Për të, që nga viti 2010 kur ky proces edhe kishte nisur, asnjë nga rekomandimet e dala nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian nuk janë adresuar në fushën e reformës publike.

Sipas Kalës, janë katër probleme kryesore të cilat janë hasur gjatë këtij procesi dhe njëri ndër ta është edhe më i rëndësishmi e që ka të bëj me politizimin e saj.

“Problem i katërt dhe më i rëndësishmi, administrata publike përballet me politizim të jashtë skajshëm dhe kjo administratë dhe Qeveria e Kosovës nuk ka aktivizuar mekanizma për depolitizimin e administratës publike”, theksoi Kalaj.

Kalaja thekson se në ngecjen e këtij procesi ka kontribut edhe Kuvendi i Kosovës, i cili nuk ka mbikëqyr dhe nuk është angazhuar në procesin e reformimit të administratës publike.

 

Shpërndaje në rrjete sociale