Edhe pse ujësjellësi rajonal KUR “Prishtina” ka bërë të ditur se deri në muajin korrik gjatë ditës nuk do të ketë reduktime dhe furnizimi me ujë të pijshëm do të bëhet nga ora 06:00 e mëngjesit deri në orën 23:00, ende shumë banorë të lagjeve të Prishtinës ankohen se kjo nuk po ndodhë.
Disa lagje si “Velania”, “Aktash” e “Kodra e Trimave” po kanë reduktime të ujit gjatë ditës, madje sipas banorëve të këtyre lagjeve reduktimet janë më të ashpra se para këtij premtimi.
Edhe sot, e diel, banorët e lagjes Kodra e Trimave, janë përballur me mungesë të ujit.
Rexhep Hoxha, banor i kësaj lagjeje, thotë se ata ende nuk kanë përmirësim të furnizimit me ujë të pijshëm, përkundrazi, sipas tij, tashmë reduktimet janë edhe më të gjata.
“Kur i dëgjon zëdhënësit e tyre krejt thonë se është në rregull, por tek ne nuk është në rregull askund. Këto që kanë thënë se ujë ka me pas 24 orë, tash reduktimet janë edhe më të shpeshta, më të forta dhe më të gjata se tjera herë… prej gjysmë në njëmbëdhjetë ndalet deri në 4-4 e gjysmë, edhe në mbrëmje qashtu ndalet herët 10 ose 10 e gjysmë”, tha Hoxha.
Njëjtë shprehet edhe Rrahime Kasumi Behrami, e cila thotë se në kohën kur po ju duhet më së shumti uji, ata nuk po kanë.
“Ankesa ka të mëdha, se unë kam komunikim me njerëz rri shumë. Do të thotë çdo amvise si unë si çdo njëra ankohet që uji ndërpritet shumë. Premtimet janë, do të thotë kam dëgjuar shumë që s’ka mu ndal më, por nuk po shohim rezultat…do të thotë ndalet prej 10 e 30 minutave deri në 4 e 30, gjatë gjithë ditës kështu nuk kemi ujë, kur është koha më e nevojshme ne ujin nuk e kemi”, tha Behrami.
E Sabit Neziri thotë se që nga pas lufta ka pasur gjithmonë reduktime gjatë ditës dhe njëjtë vazhdon edhe këto ditë e fundit. Sipas tij, të gjitha premtimet e dhëna se nuk do të ndalet më uji gjatë ditës janë gënjeshtra.
“Ndalet diku ka dhjetë të ditës deri në 4 pasdite. Në katër vjen deri në 11, tani prej 11 deri diku në 7 të mëngjesit. Jo, jo prej 99-ës kurrë hiq. Jo bre rrena janë ato, çfarë premtime s’ka hiq. Çka po dalin me thonë ato janë rrena krejt”, tha Neziri.
Se në lagjen “Kodra e Trimave” vazhdon të ketë reduktime ende gjatë ditës, këtë e pohon edhe një banor tjetër. Rexhep Syljemani, thotë se ata nuk po kanë ujë në kohën kur po ju duhet më së shumti.
“Ujë këtu nuk ki prej orës 11 deri në 4 e gjysmë të ditës. Gjithashtu vazhdon edhe prej orës 11 deri në 5 të mëngjesit. Bash koha që ujë nevojitet për pastrim e që vijnë njerëzit prej pune e që ka nevoja tjera këtu nuk ka ujë”, tha Sylejmani.
Por, Arjeta Mjeku – zëdhënëse në Ujësjellësin Rajonal KUR Prishtina, tha përmes telefonit për KosovaPress se në lagjen Kodra e Trimave janë duke u bërë disa rregullime prandaj po ka probleme me furnizim të rregullt.
“Në lagjen Vranjevc janë duke u bërë disa rregullime dhe ka probleme me furnizim. Kjo për shkak të tubacioneve dhe pozitës gjeografike që ka kjo lagje. Mirëpo, tash drejtoria teknike është duke gjetur një zgjidhje edhe për banorët e kësaj lagje”, ka thënë Mjeku.
Përveç kësaj lagjeje, ajo thotë se të gjitha lagjet tjera janë duke u furnizuar me ujë gjatë ditës dhe nuk ka asnjë problem nga ana e tyre. Sipas saj, reduktimet e tjera të mundshme janë vetëm nëse ndonjë kompani private e ka ndalur ujin përkohësisht për ndonjë rregullim.
Ujësjellësi rajonal KUR ‘Prishtina’, sipas një komunikate për medie, para disa dite ka bërë të ditur se është duke punuar me kapacitete maksimale, ku ky kapacitet prodhues nga fabrika e Batllavës është 850 litra për sekondë, ndërkaq nga fabrika e Badocit 420 litra për sekondë. Po ashtu, orari i tanishëm i reduktimeve pritet të ndryshoj në muajin korrik./Arbresh.info/
Pse na shtohet dëshira për ushqim gjatë dimrit?
Liverpooli ka një zëvendësues të gatshëm për Salahun –...
I akuzuari për vrasjen e Charlie Kirk paraqitet për herë të ...
Habit sondazhi i Politico: Trump, njeriu më i fuqishëm në Ev...
Katër të arrestuar në Vlorë për pengmarrjen e një kosovari, ...
Android tani ka mundësinë e ndarjes së video live me shërbim...