Google ADS

Realizohen me sukses në Kosovë, dy operacionet më të ndërlikuara të Kirurgjisë Abdominale

17:23 | 10 Qershor 2024
E.H

Në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë realizuar me sukses dy procedura kirurgjike të komplikuara; Esophagectomia trans-hiatale (procedurë kirurgjike që konsiston në heqjen komplet të ezofagut, nga qafa deri te lukthi me dy prerje, në bark dhe në pjesën e majtë të e qafës).

Si dhe operacioni sipas Whipple-it (i cili nënkupton procedurën kirurgjike që konsiston në heqjen e zorrës dymbëdhjetëgishtore, heqjen e kokës së pankreasit, 15-20 centimetra të pjesës fillestare të zorrës së hollë, heqjen e idhzës dhe shkurtimin e kanalit kryesor të vrerit, dhe përfundon me ngjitjen e zorrës së hollë me pankreasin, lukthin dhe kanalin e vrerit).

ShSKUK njofton se këto procedura kirurgjike konsiderohen si procedura më të ndërlikuara, në kuadër të Kirurgjisë Abdominale.

Njëri nga rastet i cili i’u është nënshtruar Esophagectomisë trans-hiatale, është për shkak të karcinomës planocelulare në pjesën e poshtme torakale të ezofagut, ndërsa katër pacientë të tjera janë trajtuar me procedurën sipas Whipple-it (duodenopancreatectomia cephalica), për shkak të karcinomës në regjionin periampullar; një pacient me karcinomë në pjesën descendente të duodenit, ndërsa tre të tjerë me karcinomë në Papilla Vateri.

“Falë ekipit të mjekëve, infermierëve si dhe anesteziologëve të Klinikës së Kirurgjisë Abdominale, këto operacione u realizuar me një shkallë të lartë profesionalizmi dhe përkushtimi. Me ç’rast të gjithë pacientët janë trajtuar suksesshëm dhe janë lëshuar në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore. Tek asnjëri prej tyre nuk ka pasur komplikime gjatë operacionit dhe komplikime tjera pas operatore”, thuhet në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme