Reagon Hykmete Bajrami: Na falni për dëshpërimin

17:26 | 29 Dhjetor 2025
E.H

Kandidatja për deputete nga LDK, Hykmete Bajrami ka uruar fituesin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit Lëvizjen Vetëvendosje.

Teksa akuzoi VV-në se i fitoi zgjedhjet pa asnjë sukses në pesë vjet Qeverisë, Bajrami u ka kërkuar falje votuesve dhe strukturave të LDK-së për dëshpërimin, shkruan Arbresh.info.

“Urime fituesit të zgjedhjeve! Sepse t’i fitosh zgjedhjet pa asnjë sukses për pesë vjet qeverisje, me njerëz nën aktakuza, me korrupsion enorm, nën masa ndëshkuese të BE-së, me degradim të raporteve me SHBA-të, me kapje dhe nepotizëm në çdo institucion, me shkelje serike të Kushtetutës, me inflacion dyshifror dhe me mafi energjetike vërtet është “sukses i madh””, ka shkruar Bajrami në Facebook.

“Po, votuesit tanë kokën lart. Ne të tjerët gishtin në kokë. Sepse kjo është koha për të dhënë përgjegjësi dhe për të marrë përgjegjësi. Votues dhe struktura, Na falni për dëshpërimin. Jemi mirënjohës për besimin dhe përkushtimin tuaj, sepse jeni ju që e mbani Lidhjen Demokratike të Kosovës gjallë e të fortë.”

“Prej se jam aktive në politikë, ambicia ime e vetme ka qenë të jem në shërbim të qytetarëve, në rritjen e LDK-së dhe në interes të shtetit. Së bashku nuk do të ndalemi. LDK duhet dhe do të rikthehet e para, me punë, me besim dhe me ekip”, tha Bajrami./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale