Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lider i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, ka komentuar zhvillimet politike pas zgjedhjeve lokale dhe mundësinë e formimit të qeverisë së re.
Rashiq tha se aktualisht nuk sheh shumë gjasa që të arrihet një marrëveshje për krijimin e qeverisë, duke theksuar se zgjedhjet e reja duken si “opsioni më real”.
“Nuk jam optimist që do të bëhet qeveria. Partitë e mëdha e kanë më lehtë të shkojnë në zgjedhje, ndërsa ne, si parti të vogla, e kemi shumë më vështirë. Megjithatë, në këtë situatë, zgjedhjet duken si opsioni më real”, deklaroi Rashiq.
Sipas tij, partitë politike duhet të tregojnë më shumë përgjegjësi dhe të shmangin diskursin e përplasjes që, siç tha, ka dëmtuar procesin politik në muajt e fundit. “Unë do të doja që të gjendej një zgjidhje, por nuk shoh realisht mundësi.
Të gjitha partitë duhet të përmbahen nga gjuha e akuzave dhe kundërakuzave. Politika është një shkencë humane, nëse përdoret nga njerëz të ndershëm dhe të dinjitetshëm”, u shpreh ai.
Rashiq shtoi se nëse skenari i zgjedhjeve bëhet i pashmangshëm, ato mund të mbahen në fund të janarit ose në fillim të shkurtit të vitit të ardhshëm.
“Ka dy variante – ose deri në mesin e dhjetorit, ose në fillim të shkurtit. Por, më realja është që zgjedhjet të organizohen në fund të janarit ose në fillim të shkurtit”, tha ai.
Ai theksoi se proceset e fundit kanë treguar mungesë të bashkëpunimit mes partive politike dhe e ka quajtur “bunkerizim” situatën aktuale në Kuvend.
“Secila parti është futur në barrikadat e veta politike dhe nuk po komunikon me tjetrën. Kjo nuk duhet të ndodhë. Duhet fleksibilitet, sepse vetëm kështu mund të ketë zgjidhje”, theksoi Rashiq. Në fund, Rashiq tha se ndonëse partitë e komuniteteve mund të luajnë rol të rëndësishëm në stabilitetin politik, përgjegjësia kryesore për daljen nga kriza mbetet te shumica parlamentare. “Ne mund të jemi një element që ka peshë, por nuk mund të presin prej nesh që ta pajtojmë shumicën shqiptare. Zgjidhja është në duart e 100 deputetëve shqiptarë. Nëse duan, mund ta bëjnë qeverinë nesër”, deklaroi ai në “Përballje Podcast” të Telegrafit.
Kurti: Qendra Multifunksionale në Podujevë ka vlerën prej af...
Kosovës iu referua si “Metohia”, VLEN: Korrigjohen gabimet n...
Begaj uron kreun e ri të SPAK-ut: Përgjegjësi e lartë dhe mi...
Rama përgëzon Brahon pas zgjedhjes së tij si drejtues i SPAK...
Faton Peci lë postin e ministrit, falënderon Kurtin dhe ferm...
KPK-ja anulon procesin e rekrutimit të prokurorëve