Raporti vjetor mbi inspektimet, Kurti: Më shumë kontroll ndaj shkeljeve, më pak barrë për bizneset

10:16 | 1 Korrik 2026
H.E

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në prezantimin e Raportit të Përgjithshëm Vjetor mbi Inspektimet 2025, të organizuar nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm pranë Zyrës së Kryeministrit, ku theksoi rëndësinë e reformës në sistemin e inspektimeve, me fokus rritjen e efikasitetit, mbrojtjen e interesit publik dhe lehtësimin e barrës administrative për bizneset.

Gjatë fjalës së tij, Kurti tha se bizneset që zhvillojnë aktivitete me shkallë më të lartë rreziku ose që kanë ndikim te një numër i madh konsumatorësh duhet t’i nënshtrohen inspektimeve më të shpeshta krahasuar me subjektet e tjera.

Ai theksoi se institucionet duhet të tregohen të pakompromis ndaj subjekteve që kanë histori të shkeljeve serioze ligjore dhe që rrezikojnë vazhdimisht jetën apo shëndetin e punëtorëve dhe konsumatorëve.

“Sipas tij, ndaj këtyre rasteve inspektoratet duhet të përdorin të gjitha instrumentet ligjore që kanë në dispozicion, duke përfshirë gjobat dhe, në rastet më të rënda, edhe kallëzimet penale.”

Megjithatë, kryeministri në detyrë nënvizoi se pjesa më e madhe e bizneseve në Kosovë nuk përbëjnë shkelës të rëndë dhe nuk paraqesin rrezik të lartë. Për këtë arsye, ai tha se reforma po synon një qasje më bashkëpunuese me sektorin privat.

Në këtë kuadër, Kurti përmendi disa masa që synojnë të lehtësojnë veprimtarinë e bizneseve, duke përfshirë publikimin e listave të kontrollit nga secili inspektorat, përmes të cilave bizneset do të kenë qasje të qartë në kriteret ligjore mbi të cilat do të bazohen inspektimet.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e inspektimeve të përbashkëta, ku dy ose më shumë inspektorate do të realizojnë punën e tyre përmes një vizite të vetme, duke reduktuar kohën dhe burimet që bizneset duhet të angazhojnë gjatë procesit të inspektimit.

Po ashtu, sipas tij, njoftimet paraprake për zhvillimin e inspektimeve në intervale të caktuara kohore do t’u mundësojnë bizneseve të planifikojnë më mirë organizimin e punës dhe të minimizojnë ndikimin e këtyre proceseve në aktivitetin e tyre.

Duke folur për aspektin institucional të reformës, Kurti tha se ndryshimet ligjore synojnë edhe forcimin e vetë sistemit të inspektorateve dhe rritjen e kapaciteteve të personelit.

Ai bëri të ditur se ligji i ri ka themeluar Zyrën e Inspektorit të Përgjithshëm në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, me përgjegjësi për bashkërendimin dhe mbështetjen e inspektorateve në nivel qendror dhe lokal.

Gjithashtu, ai shtoi se ligji parasheh ngritjen e statusit të inspektorateve qendrore në agjenci ekzekutive, një hap që, sipas tij, do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve dhe burimeve për përmbushjen më efikase të detyrave të tyre.

Shpërndaje në rrjete sociale