Ramazani- Muaji i sakrificës dhe mëshirës/ Fondacioni Behgjet Pacolli vazhdon traditën e shtrimit të iftareve falas

18:30 | 12 Mars 2025
R J

Kandilat e xhamisë u ndezën, me ujë e hurme, besimtarët prishin agjërimin.

Me shpresën që sakrifica dhe lutjet e tyre të pranohen te Zoti, kaloi edhe një ditë tjetër sfiduese e muajit të shenjtë për besimtarët mysliman.

Deri në detajin më të vogël, organizatorët po kujdesen që secili pjesëmarrës në këtë iftar të ketë para vetës ushqimin e përgatitur enkas për ta.

Jo një iftar, as dy, por gjatë gjithë muajit shenjtë të Ramazanit, qytetarët kanë mundësi të hanë iftar falas në Sallën e Sportit të Diamond Tennis në Hajvali, raporton Arbresh.info.

Krejt kjo fal traditës që po e vazhdon “Fondacioni Behgjet Pacolli”, si shenjë respekti dhe solidariteti për agjëruesit në këtë muaj të shenjtë.

Ushqime nga më të ndryshmet e pije të shumta, që vijnë prej një nga restorantet më të njohura në Prishtinë, restoranti “Arbresh”, po servohen me shumë kujdes nga stafi.

Njëri nga kuzhinierët me përvojë 20 vjeçare, të këtij restoranti, tregoi se ushqimet që servohen janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga supa, e deri të gjellët e llojllojshme.

Brenda ditës, ai thotë se përgatiten prej 150 deri në 200 pjata të ndryshme për agjëruesit.

“Janë pjata të ndryshme duke filluar prej supës, sallata, herë kemi dhe gjella, pasta, mish pule, mish viçi e kështu. Për momentin, numri i pjatave sillet 150, 180, ndonjëherë shkojnë edhe deri në 200 “, thotë ai.

Ndërkohë, përveç ngrënies së iftarit agjëruesit kënaqen duke kaluar kohë së bashku me njëri tjetrin.

Agjërimi është një akt i besnikërisë dhe sakrificës që synon pastrimin shpirtëror dhe fizik, rritjen e vetëkontrollit, dhe afërsinë me Zotin.

Muaji i madhërishëm i Ramazanit ka filluar me 1 mars, ditë e shtunë, ndërsa përfundon me 29 mars, po ashtu ditë e shtunë.

Dita e parë e Fitër Bajramit do të jetë më 30 mars, ditë e diel.

Ky është muaji i sakrificës dhe i përkushtimit ndaj njëri-tjetrit. Është muaji i shenjtë që zbret engjëjt në tokë për të përhapur mirësinë mes nesh.

Besimtarët gjatë këtij muaji abstenojnë nga ushqimi, pijet dhe kënaqësitë trupore nga agimi deri në perëndimin e diellit, me shpresën se kjo do të çojë në devotshmëri më të madhe. /Arbresh.info/ Rita Jakupi/