Ramabaja: Kurrë nuk kam pasur në dorë dokumente të organizatës “Syri i Popullit”

17:03 | 3 Korrik 2019 | Elmedina Ballazhi

Ka vazhduar sot procesi gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj dhjetë të akuzuarve të rastit “Syri i Popullit”. Gjatë kësaj seanca, të akuzuarit kanë paraqitur mbrojtjen e tyre, raporton arbresh.info.

Mbrojtjen e tij e ka nisur i akuzuari, Sadri Ramabaja. Para se Ramabaja të niste mbrojtjen e tij, kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi mori vendim që të gjithë të akuzuarit tjerë të largohen nga salla, deri sa Ramabaja të përfundonte deklarimin e tij.

Ishte i pari mbrojtësi i tij, avokati Ramiz Krasniqi i cili nisi marrjen në pyetje të Sadri Ramabaja.

Deri sa po i përgjigjej pyetjeve të avokatit Krasniqi, i akuzuari Sadri Ramabaja deklaroi se asnjëherë në jetën e tij nuk kishte pasur lidhje me organizatën “Syri i Popullit”.

Ai tha se për këtë organizatë për herë të parë kishte dëgjuar në media.

“ Asnjëherë në jetën time nuk kam pasur asnjë dokument të kësaj organizate në duar. Për këtë organizatë kam mësuar përmes mediave”, u shprehë Ramabaja.

Takimi i Ramabajës me Murat Jasharin në “Villa Panorama”

Ai po ashtu tregoi edhe për takimin e tij me të akuzuarin tjetër Murat Jashari në “Villa Panorama”.

“Para 11 marsit Murat Jashari më ka kërkuar të takoheshim kur vij në Kosovë , por unë e kam pasur agjendën e ngjeshur, pasi kisha takim me tre profesorë gjerman. Murat Jashari në Kosovë nuk e di kur ka ardhur sepse nuk e kam pyetur. Takimin e kemi caktuar nëpërmjet telefonit”, është shprehur ai.

I akuzuari ka treguar edhe temat e bisedës që kishte zhvilluar me Murat Jasharin gjatë takimit në “Villa Panorama”.

Sipas Ramabajës tema të takimit ishin çështja e redaktimit të librit të dytë të Murat Jasharit e cila quhej “Në Kujtime”, çështja e dytë ishte ribotimit i librit që ai ia kishte redaktuar Jasharit, që quhet “Lufta e pambaruar”, si dhe temë tjetër e bisedës mes tij dhe Jasharit sipas Ramabajës kishte qenë edhe veprimtaria e tij gjatë luftës në Kosovë.

Sipas tij, në asnjë rast temë diskutimi mes tij dhe Murat Jasharit nuk ka qenë emri i Azem Vllasit.

Ramabaja: Gjatë takimit me Jasharin asnjëherë nuk e kemi përmendur emrin e Hashim Thaçit dhe Azem Vllasit

“Askush nuk e ka kërkuar numrin e Azem Vllasit dhe askush në takim nuk e ka zënën në gojë emrin e Azem Vllasit”, ka thënë Ramabaja.

Ai shtoi se asnjëherë nuk është përmendur fjala vrasje gjatë bisedës me Jasharin dhe të tjerët.

Ramabaja para trupit gjykues ka mohuar të ketë përmendur emrin e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

“Nuk kam përmendur emra të çështjes politike kosovare. Nuk është përmendur emri i Hashim Thaçit”, ka shtuar ai.

Ramabaja tha se  për plagosjen e Azem Vllasit e  kishte kuptuar në media, mirëpo për dyshimet e përfshirjes së tij në këtë rast, ai e kishte kuptuar nga  bashkëshortja e tij,  e cila e kishte telefonuar.

Në ditën kur Azem Vllasi ishte plagosur nga Murat Jashari,  Ramabaja tha se nuk kishte qenë fare në Kosovë. Sipas tij, atë ditë kishte pasur takim me disa profesor gjerman në Durrës.

“Kam marr lajmin për plagosjen e tij 2-3 orë nga mediat, reagimi im ishte me 14 mars, në Durrës isha me miqtë e mi Gjerman, nga gruaja kam marr telefon se ajo me ka lajmëruar se unë Jam lakuar në Media, i ofroj edhe dëshminë time trupit gjykues reagimin tim (postimin tij). Komunikatën e organizatës “Syri i Popullit” e kam pare kur kam qenë në Durrës, nënshkrues nuk e di kush ka qenë, Prokuroria e ka caktuar se ishte “sakati”, pra Murat Jashari. E kam gjykuar rreptësishtë plagosjen e Azem Vllasit”, është shprehur Ramabaja.

Në seancat e radhës do vazhdoj marrja në pyetje e të akuzuarve të tjerë të këtij rasti.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 27 shkurt 2018 ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Llumnicës, Ragip Sallovës, Sadri Ramabajës, Sabit Berishës, Behxhet Luzhës, Halim Halimit, Bajrush Konjushës, Lirije Luzhës dhe Rexhep Topllanës për vepra të ndryshme penale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që i akuzuari Murat Jashari ta vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin i kishte dhënë ndihmë Jasharit në kryerjen e veprës penale.

Llumnica thuhet se më 6 mars 2017 e kishte sjell nga Zvicra në Kosovë të akuzuarin Murat Jashari, e kishte ftuar në shtëpinë e tij, ndërsa një ditë më vonë e kishte dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku ia kishte paguar edhe fjetjen në këtë motel.

Ndërsa sipas pretendimeve të Prokurorisë, kur i pandehuri Murat Jashari kishte kryer vepër penale ndaj Azem Vllasit, ai bashkë me të akuzuarin Llumnica ishin takuar në qytet dhe pasi që kishin dashur të largoheshin për në shtetin e Zvicrës në orën 12:00 të mbrëmjes ishin arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë Llumnica akuzohet se ka kryer veprën penale “Hakmarrje në ndihmë” nga Neni 396 i KPRK-së. Llumnica sipas kësaj aktakuze sa ishte në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, më 16 maj 2017, thuhet se duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N.Z., duke e futur në banjë të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar të njëjtin që t’i bëjë seks oral.

Sipas akuzës, Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë. Llumnica akuzohet për veprën penale “Dhunim” nga Neni 230 i KPRK-së. Të pandehurve: Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha pretendohet se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin “Avni Rrustema” diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që t’i destabilizonin ose t’i shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe vrasje ndaj personaliteteve të larta shtetërore të konsideruar si ish-funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtarë të vendit.

Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, kryetarit të Kuvendit Kadri Veselit, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Halitit e Fatmir Limajt, duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë etj.

Sipas akuzës, ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtarë kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara, thuhet ndër tjera në aktakuzë.
Ndërsa i pandehuri Murat Jashari thuhet se kishte tentuar të vriste Azem Vllasin si ish-funksionar, i cili sipas tyre ishte vlerësuar si i pari në listën e tradhtarit të vendit.

Me këtë ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste” ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 144 i KPRK-së.

I pandehuri Bajrush Konjusha akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi që me rastin e bastisjes në shtëpinë e tij ishte konfiskuar një pistoletë e gazit dhe një pushkë ajrore me diabolla 250 copë./Elmedina Ballazhi/ Arbresh.info

Lajmet më të lexuara