Rama: Shqiptarët e Kosovës të rëndësishëm  sa Evropa

17:59 | 17 Prill 2015
M. A.

I pranishëm në një forum në Universitetin e Vlorës, kryeministri Edi Rama ka theksuar sot se e konsideron procesin e integrimit në BE si unik dhe të pazëvendësueshëm. Duke folur për shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës kryeministri shqiptar ka thënë se ata janë po aq të rëndësishëm sa vetë Evropa. Më tej Rama theksoi se gjithmonë e më shumë Bashkimi Evropian duket peng i frikës dhe taktikave politike të vendeve të veta anëtare.

“Gjithmonë e më shumë BE duket peng i taktikave politike, elektorale të vendeve të veta anëtare, dhe për fat të keq edhe në disa vende të mëdha dhe me peshë peng i frikës se duke folur për projektin e madh strategjik humben vota dhe rritet kundërshtia ndaj Evropës. Përgjigja e problemit të sotëm të Evropës është më shumë Evropë dhe jo më pak Evropë. Sot për Evropën Ballkani dhe përderisa jemi në Shqipëri dhe jemi shqiptarë, shqiptarët e Shqipërisë, Kosovë dhe gjetkë janë po aq të rëndësishëm sa është e rëndësishme Evropa për ne. Evropa ka nevojë sot pët Ballkanin njësoj siç ka Ballkani nevojë për Evropën,” tha Rama.

Të pranishëm në forum ishin edhe dy eurodeputetët Knut Fleckenstein e Ueidenolzer.  Fleckenstein theksoi se Shqipëria ka nevojë për reforma dhe se procesi i integrimit i përket të gjithëve./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale