Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se përgjegjësia kryesore për ngecjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bie mbi Beogradin, pasi sipas tij, autoritetet serbe vazhdojnë të mos e pranojnë realitetin e krijuar me pavarësinë e Kosovës.
Në një intervistë për Euronews Serbia, Rama deklaroi se Serbia duhet të pranojë ndryshimet që kanë ndodhur në rajon.
“Serbia është më përgjegjësja për situatën në dialog, sepse nuk është e gatshme ta pranojë realitetin, ndërsa realiteti ka ndryshuar. Nuk ekziston më diçka që quhet ‘Kosova dhe Metohia’; ekziston Republika e Kosovës”, ka theksuar Rama.
Duke komentuar faktin se pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ai theksoi se kjo nuk ndryshon realitetin ndërkombëtar.
“Pesë nga 27 janë ende pak. Kjo tregon se shumica dërrmuese e vendeve e kanë pranuar realitetin. Nuk bëhet fjalë për dobësi, por për pranimin e faktit se realiteti ka ndryshuar. Ashtu si kombet e tjera të ish-Jugosllavisë gjetën rrugën drejt pavarësisë, edhe shqiptarët kishin të drejtën e vetëvendosjes”, u shpreh kryeministri shqiptar.
Rama ka theksuar se pavarësia duhet të shoqërohet me bashkëpunim dhe respekt për të drejtat e pakicave, duke nënvizuar se serbët përbëjnë pakicë në Kosovë.
I pyetur për qëndrimin e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me Marrëveshjen e Brukselit dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Rama shmangu komentet e drejtpërdrejta.
“Nga njëra anë mund të thuhet se ka pasur lëvizje të caktuara, por nga ana tjetër mund të thuhet se ka pasur terror nga grupe terroriste që kanë ardhur nga Serbia. Unë kam një rregull që e respektoj gjithmonë: nuk flas kurrë për opozitën time në një gjuhë të huaj. Mos më kërkoni të them në një gjuhë të huaj gjëra që kanë të bëjnë me Albin Kurtin dhe me vëllezërit e motrat e mia në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Rama ka përsëritur se Serbia, si shteti më i madh në rajon, duhet të pranojë realitetin e ri politik.
“Sipas mendimit tim, dhe këtë e kam thënë edhe në Beograd, sa më shpejt që Serbia ta pranojë se ekziston një realitet i ri, aq më mirë do të jetë për vetë Serbinë”, ka thënë Rama.
Mbi 123 mijë prindër kanë aplikuar për subvencionimin e teks...
Anulohen seancat e gushtit në rastin Thaçi dhe të tjerët për...
Konjufca: Do të hyjmë në negociata më të thelluara me LDK-në...
Kurti priti në takim Selën, flasin për rrugën Prizren – Teto...
Kosovarët dynden drejt bregdetit shqiptar, fluks i shtuar au...
“Vepra arti, ikona dizajni dhe asgjë më shumë”, ...