Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj situatës së fundit me mbeturinat në kryeqytet, duke e cilësuar ndërprerjen e shërbimeve nga Ndërmarrja “Pastrimi” si “kulmin e papërgjegjësisë institucionale dhe një formë të përsëritur të shantazhit”.
Me anë të një postimi në Facebook, Rama njoftoi se komuna ka mobilizuar të gjitha kapacitetet alternative për të menaxhuar situatën dhe ka theksuar se qytetarët nuk do të mbesin pa shërbime për shkak të, siç tha ai, “kalkulimeve politike të askujt”, shkruan Arbresh.info.
“Qytetarët e Prishtinës nuk meritojnë të përballen me situata që cënojnë shëndetin publik dhe dinjitetin qytetar. Ekipet tona kanë punuar 24 orë gjatë vikendit dhe nga dita e hënë pritet rikthimi i normalitetit”, ka shkruar Rama.
Rama kritikoi ashpër përdorimin e ndërmarrjeve publike si instrument shantazhi për interesa të ngushta politike, duke u zotuar se epoka e sabotimeve dhe keqpërdorimit të parasë publike do të marrë fund.
“Unë nuk jam dhe nuk do të jem pjesë e pazareve politike. Qëndrimi im është i pandryshueshëm – gjithmonë në interes të qytetarëve”, tha Rama.
Kryetari falënderoi qytetarët për mirëkuptimin dhe mobilizimin e tyre në ruajtjen e pastërtisë në qytet, duke theksuar se qytetarët tashmë e kanë kuptuar “skemën e sabotimeve që po bëhen në kurriz të tyre”.
Situata me menaxhimin e mbeturinave ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, teksa qytetarët janë përballur me grumbullime të mëdha të mbeturinave në shumë pjesë të qytetit. Komuna ka premtuar zgjidhje të qëndrueshme dhe shërbim të denjë për kryeqytetin./Arbresh.info/
“Vëllai im të dua shumë”, Rama telefonon Thaçin në Hagë
Marshimi historik në Prishtinë, “Liria Ka Emër” falënderon ç...
Gjyqtarët anglezë referojnë ndeshjen Drita – Celje
Fillojnë bisedimet e paqes në Gjenevë
Sherr mes pesë të miturve në Kukës, lëndohet një 15-vjeçar
Kurti mirëpret në takim Begajn në 18-vjetorin e Pavarësisë s...