Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka prezantuar të dhëna për përfaqësimin gjinor në trupat zgjedhorë që do të angazhohen në zgjedhjet e së dielës, më 28 dhjetor.
Sipas tij, në këshillat e vendvotimeve do të jenë të angazhuar gjithsej 10 mijë e 606 komisionerë, nga të cilët një pjesë dukshëm më e vogël janë gra.
“Nga 10,606 anëtarë të këtyre këshillave, 64.53% e tyre apo 6,843 janë burra, ndërkaq 35.47% apo 3,763 janë gra”, deklaroi Radoniqi.
Ai shtoi se një raport i ngjashëm gjinor është evidentuar edhe në zgjedhjet lokale të mbajtura dy muaj më parë. “Nga 14,353 anëtarë, 63.24% apo 9,077 ishin burra, ndërkaq 36.76% apo 5,276 ishin gra”, tha ai.
Këto deklarata Radoniqi i bëri gjatë tryezës me temën “Barazia gjinore në proceset zgjedhore – Promovimi i barazisë gjinore dhe fuqizimi i pjesëmarrjes së grave në proceset zgjedhore”, e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Kryesuesi i KQZ-së informoi gjithashtu se ka përfunduar procesi i certifikimit të kandidatëve për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Sipas të dhënave zyrtare, nga 1,180 kandidatë të certifikuar, 789 ose 66.86% janë burra, ndërsa 391 ose 33.13% janë gra.
Duke folur për rolin e KQZ-së në garantimin e barazisë gjinore, Radoniqi theksoi se institucioni që ai drejton është i përfshirë drejtpërdrejt në dy aspekte kyçe: zbatimin e kuotës minimale prej 30% për përfaqësim gjinor dhe përbërjen gjinore të trupave administrues të zgjedhjeve.
“Ndryshe nga listat e subjekteve politike, KQZ nuk ka obligim të drejtpërdrejtë ligjor për të garantuar kuotën minimale gjinore prej 30% në përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve. Megjithatë, në aktin nënligjor për themelimin dhe përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve, KQZ ka përcaktuar këtë standard si pjesë e politikave pozitive dhe masave afirmative, me qëllim të avancimit të përfaqësimit gjinor dhe forcimit të barazisë në administrimin zgjedhor”, përfundoi Radoniqi.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, si dhe shefi i misionit të OSBE-së, Gerard McGurk./rtk
Leonard Ademaj: Vrasja e Liridonës ishte e planifikuar, u re...
Greqi, fermerët vazhdojnë protestat me traktorë në rrugët ko...
Spiropali-Mucunski: Konkretizojmë bashkëpunimin për Korridor...
Seanca për vrasjen e Liridona Ademajt vazhdon më 29 janar
Naim Murseli s’e thotë asnjë fjalë për pamjet që u shfaqën p...
Aksion i Prokurorisë Speciale për krim të organizuar e rrëmb...