Qeveria e Kosovës në shtator të vitit të kaluar ka proceduar për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për Paga në Sektorin Publik, dhe pavarësisht miratimit në lexim të parë, sektorë të ndryshëm kanë pasuar me pakënaqësi të formave të ndryshme.
Pushteti dhe analistët vlerësojnë se Kosova duhet të ketë një Ligj për paga, por e pranojnë se mungesa e debatit të mjaftueshëm është përcjellur me pakënaqësi, dhe si rrjedhojë Projektligji për Paga në Sektorin Publik duhet të pësojë ndryshime, shkruan arbresh.info.
Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, thotë se Qeveria e Kosovës nuk e ka në plan të tërheqë Projektligjin.
“Nuk e ka në plan. E ka tregu Kryeministri se Kosova duhet me pas Ligjin për paga. Gjithashtu Qeveria e ka dhënë qëndrimin se këto janë kapacitetet buxhetore”, deklaroi Gashi për arbresh.info.
Ndryshe shprehet zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj. Ai thotë se Qeveria e Kosovës është e gatshme dhe e interesuar që të ofrojë zgjidhje.
“Një grup punues i përberë nga qeveria dhe nga deputet të Kuvendit të Kosovës kanë pasur takime ditët e fundit dhe unë ende nuk e kam parë versionin e fundit të këtij Projektligji. Gjithashtu Qeveria është e qëndrueshme dhe ne nuk kemi asnjë arsye të kemi shqetësim për atë se çfarë po ndodhë në sektorë të caktuar, por jemi të interesuar që të ofrojmë zgjidhje”, është shprehur zëvendëskryeministri Hoxha për arbresh.info.
Bilall Sherifi, anëtarë në Komisionin për Legjislacion, thotë se Ligji për pagat duhet të vazhdojë ngaqë bëhet për herë të parë në Kosovë. Mirëpo, sipas tij, nuk ka qenë e mjaftueshme të sqarohet me të gjithë kategoritë e të punësuarve.
“Nisma Socialdemokrate është pjesë e koalicionit qeverisës dhe si çdo parti tjetër e koalicionit ka qenë e përfshirë në procesin e hartimit të Projektligjit për Pagat qoftë në qeveri, qoftë në Kuvend të Kosovës. Prandaj, ndajmë mendimin se ky proces duhet të vazhdojë. Mirëpo, fakti që kemi pakënaqësi nga disa kategori është tregues se periudha e debatit publik lidhur me këtë ligj, i cili po bëhet për herë të parë në Kosovë, nuk ka qenë e mjaftueshme për t’u sqaruar deri në fund me të gjitha kategoritë e të punësuarve, të cilët marrin paga nga buxheti i shtetit”, ka thënë Sherifi.
Sipas analistit, Ramush Tahiri, Qeveria duhet të reflektojë dhe t’i rishqyrtojë pagat e të ndryshojë ligjin duke stabilizuar koeficientet.
“Gjithsesi se Qeveria duhet të reflektoj dhe t’i rishqyrtoje pagat të ndryshojë Ligjin duke stabilizuar koeficientet dhe duke vlerësuar punët e profesionet që janë bartëse të zhvillimit të vendit. Pakënaqësitë sociale e protestat gjithmonë janë pasojë e politikave të këqija ose të dështimeve të Qeverisë. Kosova nuk ka politika të mirëfillta ekonomike e zhvillimore të bazuara në potencialet e vendit ne rininë e shkolluar dhe në resurset minerale, në prurjen e kapitalit të huaj. Është shumë mirë që kjo garniturë politike të hiqet nga skena dhe të bjerë në protestat sociale, e jo politike”, tha ai.
Kuvendi i Kosovës ka pranuar nga Qeveria e Kosovës projektligjin më 7 shtator të vitit të kaluar. Më 25 tetor u miratua në lexim të parë, derisa aktualisht ky projektligj është në shqyrtim të komisionit funksional. Pas shqyrtimit në katër komisione tjera, pritet të shqyrtohet për miratim edhe në leximin e dytë, premtim ky i krerëve të shtetit se do të ndodhë më 31 janar të këtij viti./Ardita Zeka/arbresh.info/
Një grua bie nga ura e re e Ibrit, shpëtohet nga një polic –...
Sunderland ndal Manchester Cityn, Arsenal mbetet në krye të ...
Egjipti, Katari dhe Turqia paralajmërojnë Hezbollahun: Dorëz...
Kurti mbi 309 mijë vota, Konjufca 240 mijë, 10 më të votuari...
Një natë pas Vitit të Ri, Prishtina renditet e 22-ta në botë...
Një shtetas turk 22-vjeç i vrarë në Çarshinë e Shkupit – I d...