Qeveria miraton themelimin e Këshillit Shtetëror për 28-vjetorin e UÇK-së

09:33 | 20 Shkurt 2026
E.K

Qeveria ka miratuar propozim-vendimin për themelimin e Këshillit Shtetëror, i cili do të ketë përgjegjësi për organizimin dhe shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Mirë se takohemi në mbledhjen e rregullt të Qeverisë. Të martën patëm mbledhjen solemne për 18-vjetorin e Pavarësisë. Sot, në pikën e parë të rendit të ditës, kemi themelimin e Këshillit Shtetëror për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shkurti është muaj feste shtetërore dhe krenarie qytetare, marsi është muaj lavdie historike dhe nderimi i sakrificës. Në kalendar vjetor shkurti vjen para marsit, por në kalendarin e historisë sonë, para shkurtit ishte marsi. E pa 5, 6 dhe 7 Marsin, nuk bëhej 17 Shkurti, pa flijimin e familjes Jashari, nuk bëhej festa shtetërore e Republikës, pa luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri, nuk bëhej parakalimi i ushtrisë sonë në liri”, tha ai.

Kryesues i këshillit do të jetë Ejup Maqedonci me bashkëkryesues Andin Hotin, dhe anëtarë Sami Lushtaku, Saranda Bogujevci, Elbert Krasniqi, Bashkim Jashari, Gazmend Hoxha. Nga një përfaqësues do të jenë edhe nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, Zyrës së Presidentes, Kuvendit, Zyrës së Kryeministrit, si dhe Asociacionit të Komunave.

Epopeja mbahet më 5, 6 dhe 7 mars.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme