Qeveria miraton një projekt-udhëzim për parandalimin e pjesëmarrjes së fëmijëve në klubet e natës

11:08 | 9 Gusht 2023
Diellza Gashi

Qeveria e Kosovës ka miratuar një projekt-udhëzim administrativ për masat parandaluese e mbrojtëse për ndalimin e pjesëmarrjes së fëmijëve në klubet e natës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo buron nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve për të mirën e fëmijëve, shkruan Arbresh.info.

“Ky projekt-udhëzim administrativ buron nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe është hartuar në frymën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut me qëllim të mbrojtjes së fëmijëve nga pjesëmarrja në klubet e natës dhe hapësirat e tjera të ngjashme dhe se do të mund të cenojnë jetën, dinjitetin, mirëqenien dhe interesin më të mirë të fëmijëve. Po e bëjmë këtë projekt-udhëzim administrativ dhe kjo synohet të arrihet përmes krijimit të mekanizmave dhe ndarjes së përgjegjësive e obligimeve ndërmjet policisë, shërbimeve sociale, si dhe autoriteteve publike e prindërve, kujdestarëve, pronarëve të bizneseve e personave përgjegjës si palë të treta me ndikim në situata të cilat rregullohen nga ky projekt-udhëzim”, tha Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, pohoi se është ndërtuar mbi parimet e konventës për mbrojtjen e fëmijëve.

“Ky projekt-udhëzim administrativ është i ndërtuar mbi parimet e konventës për mbrojtjen e fëmijëve duke kristalizuar normat nga ligji për mbrojtën e fëmijëve. Fryma e këtij projekt udhëzimi është në mbrojtjen e i interesit më të mirë të fëmijës duke krijuar mekanizmat përgjegjës nëpërmjet caktimit të përgjegjësive të autoriteteve publike, nga policia, shërbimet sociale, deri tekë obligimet e prindërve, bizneseve dhe personave përgjegjës karshi marrjes së masave të nevojshme për ndalime e pjesëmarrës së fëmijëve në klubet te natës”, tha ai. /Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale