Qeveria e Kosovës ka thënë se Irani duhet të ndalojë veprimet hibride që cenojnë stabilitetin rajonal dhe se rruga diplomatike është e duhura për ta zgjidhur konfliktin, pas përshkallëzimit të situatës me Izraelin.
Që nga e premtja, Izraeli dhe Irani kanë intensifikuar sulmet ndaj njëri-tjetrit. Izraeli nisi sulmet duke synuar objektet bërthamore dhe ushtarake të Iranit, e më pas erdhi kundërpërgjigja nga Teherani.
“Republika e Kosovës po e përcjell me shqetësim situatën e tensionuar mes Izraelit dhe Iranit dhe u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira që të përmbahen, me qëllim të shmangies së përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës së sigurisë në rajon”, thuhet në reagimin e Zyrës së Kryeministrit.
Duke iu referuar të dhënave të fundit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA), ku theksohet se Irani nuk po i përmbush detyrimet e tij për mospërhapjen bërthamore, Qeveria e Kosovës ka thënë se Teherani duhet të ndalë veprimet hibride dhe të rikthehet në përputhje me obligimet ndërkombëtare.
“Zgjidhja diplomatike është rruga e duhur për adresimin e çështjeve të sigurisë, ndaljen e dhunës dhe parandalimin e pasojave më të gjera rajonale e globale,” thuhet më tej në deklaratë.
Qeveria u bën thirrje qytetarëve të Kosovës, veçanërisht atyre që ndodhen në rajon apo kanë kontakte atje, që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin me përpikëri udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe të autoriteteve lokale.
Në përfundim, Qeveria ka thënë se riafirmon përkushtimin e saj ndaj vlerave të paqes, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare, duke shprehur solidaritet me të gjithë qytetarët e prekur nga konflikti aktual./Arbresh.info
Lexo edhe:
Irani kërcënon bazat e SHBA-së, Britanisë dhe Francës: Mos mbështetni Izraelin
Kuvendi ratifikon amendamentin për programin IPA
Skemë mashtrimi në Everest/ 11 të arrestuar, dyshohet se hel...
Paralajmërimet e Trump, Tusk: Tërheqja e SHBA nga NATO, ëndr...
Nga një bisedë te një simbol i Kosovës: mesazhi emocionues i...
Begaj pas paralajmërimit për kërcënime: Institucionet e sigu...
“Keqtrajtohet nga gruaja e tij”, reagon Macron pas deklarata...