Qeriqi: Marrja e statusit të veteranit pa luftuar, dëmton imazhin e luftës

Foto : Arsim Namani

10:01 | 8 Tetor 2016
M. A.

Javën e kaluar veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë për siç kanë thënë ata, padrejtësitë që u janë bërë familjeve të dëshmorëve dhe kategorive të tjera të luftës së UÇK-së nga ana e Ministrisë të Punës dhe Mirëqenies Sociale.

E ka një kohë të gjatë që veteranët po kërkojnë nga institucionet atë që u kërkon ligjërisht, pensionet e tyre, derisa zyrtarët e qeverisë po thonë se Kosova nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të mbuluar kërkesat e veteranëve që sipas listave janë me mijëra, shkruan Indeksonline.

E kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi ka thënë në një prononcim për Indeksonline se pavarësisht takimeve që kanë zhvilluar me zyrtarë e ministra, megjithatë nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje.

Ai ka theksuar se dje ka marr vesh që tashmë janë siguruar mjetet për pensionet e veteranëve të UÇK-së për muajin shtator, duke shprehur dëshirën që gjatë kësaj jave t’i marrin ato që u takojnë.

“Ne kemi zhvilluar dy takime me zyrtarë të ministrisë të punës dhe Mirëqenies Sociale, këto takime i kishim në fillimin e javës të kaluar, ku kemi biseduar rreth vendimeve të fundit të marra nga kjo ministri mirëpo nuk kemi arritur asnjë marrëveshje me ta”, ka thënë Qeriqi.

Ai përsëriti kërkesat e veteranëve ndaj qeverisë, duke nisur me auditimin e pavarur të listave të publikuara, për të cilat thuhet se janë të fryra dhe jo reale.

“Ne ka kohë që kërkojmë prej qeverisë të Republikës të Kosovës që të bëhet një auditim i pavarur dhe listat të pastrohen mirëpo qeveria edhe pse po e pranon se listat janë të fryra, ajo nuk po reagon në këtë drejtim, por po hesht. Çka është me rëndësi këto lista janë të fryra dhe mendoj që institucionet kompetente duhet të bëjnë hetim dhe të dalin me raport”, ka shtuar Qeriqi.

Sipas tij, hetimet duhet të nisin nga ajo se si persona të caktuar kanë arritur të marrin statusin e veteranit, me çka i është shkaktuar dëm shtetit në shumë forma.

“Se si kanë kaluar këta persona, si e kanë fituar këtë status duhet të hetohet. Kjo është në të mirë të shtetit dhe në të mirë të veteranëve, sepse është dëmtuar imazhi i luftës dhe vazhdon të dëmtohet buxheti i varfër i Kosovës duke përfituar njerëz pa qenë fare në luftë”, ka përfunduar Qeriqi.

Vlen të përmendet se dje në media ka qarkulluar një lajm se persona të caktuar kanë paguar deri në mijëra euro për të marr statusin e veteranit të UÇK-së, në mënyrë që të marrin pastaj pensione nga buxheti i shtetit.

Sa i përket listave të fryra, në Prokurorinë e Shtetit thonë se kushdo që ka fakte për një vepër të tillë, mund t’i dërgoj ato në prokurori, gjë që do të ndihmonte në hetime.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridona Kozmaqi ka thënë për Indeksonline se sic është njoftuar më herët, tashmë Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në bazë të autorizimeve ligjore që ka, ka kërkuar nga prokuroritë kompetente, fillimin e grumbullimit të informatave të nevojshme për të përcaktuar nëse ka vend për inicimin formal të hetimeve, në lidhje me rastet individuale të keqpërdorimeve eventuale që kanë mundur të ndodhin gjatë hartimit të listave të veteranëve të UÇK-së.

“Tani prokuroritë janë duke marrë veprimet e nevojshme në bazë të kompetencave që kanë dhe më pas varësisht nga grumbullimi i informatave do të përcaktohet nëse ka fakte për ndjekje penale ndaj personave përgjegjës dhe rrjedhimisht edhe për ngritje të aktakuzës. Përndryshe çdo person, që konsideron se ka prova që mund të jetë kryer ndonjë vepër penale nga kushdo qoftë, për çfarëdo rasti duke e përfshirë edhe këtë rast, mund t’i drejtohet prokurorisë për t’ia paraqitur ato prova”, ka thënë Kozmaqi.

Sipas saj, tani në këtë fazë ku hetimet janë duke vazhduar në prokuroritë kompetente nuk mund të bëhen publike informata tjera!

Shpërndaje në rrjete sociale