Zëvendëskryeministrja në detyrë nga radhët e komunitetit boshnjak, Emilija Rexhepi, i ka reaguar ashpër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, lidhur me propozimin e tij për formimin e një qeverie të tranzicionit.
Sipas saj, një qasje e tillë është shoviniste, shkruan Arbresh.info.
“Një qasje e tillë është shoviniste, politikisht regresive dhe thellësisht e dëmshme për vizionin e një Kosove moderne dhe multietnike. Si zëvendëskryeministre e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të drejtat e njeriut dhe për çështjet e komuniteteve jo-shumicë, por para së gjithash si boshnjakja më e votuar në zgjedhjet e fundit, duhet ta them qartë dhe me zë të lartë: Kosova nuk është dhe kurrë nuk do të jetë shtet i rezervuar vetëm për një grup etnik. Ajo i përket çdo qytetari të saj – qoftë ai shqiptar, boshnjak, turk, rom, serb, ashkali, egjiptian, goran apo kushdo tjetër që jeton dhe ndërton këtë vend“, ka shkruar Rexhepi.
Ajo ka vazhduar kritikat ndaj Abdixhikut në postimin e saj, duke thënë se një qasje e tillë është zhgënjyese.
“Retorika që bën thirrje për formimin e qeverisë vetëm përmes partive shqiptare, duke përjashtuar përfaqësuesit e komuniteteve të tjera, nuk është asgjë tjetër veçse një mesazh urrejtjeje dhe mohimi i të drejtave themelore të njeriut, si dhe një shkelje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo nuk është vetëm një gabim politik – kjo është një rënie morale.
Është tronditëse dhe zhgënjyese që fjalë të tilla vijnë nga një lider i ri i LDK-së, nga i cili pritej një vizion përparimtar, bashkues e jo përçarës. Një deklaratë e tillë është fyerje për të gjithë ne që e konsiderojmë Republikën e Kosovës si shtetin tonë dhe që punojmë ditë e natë për demokratizimin dhe rrugën e saj evropiane. Nuk do të heshtim. Nuk do të tërhiqemi. Do të jemi zëri i fuqishëm sa herë që tentohet të heshtet barazia, sepse Kosova është shtet multietnik të cilin do ta ndërtojmë së bashku“, u shpreh mes të tjerash ajo./Arbresh.info/
Klodi me pëlqim për Benitën?
LVV-ja konfirmon dëmtimin e varrit të Astrit Deharit: Jemi n...
Afati i sotëm për tërheqje nga gara zgjedhore, Cakolli: KQZ ...
S’ka pajtueshmëri për votat me postë, KQZ shkon në pauzë
Indonezi: Mbi 900 të vdekur nga përmbytjet, rreziku i urisë ...
Elezi: Më 7 dhjetor, në orën 23:59 mbyllet afati i subjektev...