Në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Jelena Gjukanoviq- zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë, është deklaruar e pafajshme lidhur me akuzën për spiunazh.
Deklarimin rreth fajësisë, e akuzuara e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bekim Kodraliu, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Më pas, gjykatësi Rrahman Beqiri njoftoi të akuzuarën Gjukanoviq dhe mbrojtësin e tij- avokatin Predrag Milkoviq se në afat prej 15 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.
Kurse, avokati Milkoviq kërkoi që të mbrojturës së tij t’i ndërpritet masa e paraburgimit. Por, ky propozim u kundërshtua nga prokurori Kodraliu, me arsyetimin se ende ekzistojnë kushtet për vazhdimin e paraburgimit ndaj të akuzuarës.
Megjithatë, gjykatësi Beqiri tha se lidhur me këtë propozim do të vendosë jashtë seancës.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shtator 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Gjukanoviqit, e cila ngarkohet se ka ndihmuar me informacione Agjencinë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë.
“J.GJ. akuzohet se nga data e pacaktuar, e deri në momentin e arrestimit më 28.02.2025, në cilësinë e zyrtares të Misionit të OSBE-së në Kosovë, me vetëdije dhe me dashje ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Gjukanoviq ngarkohet se ka siguruar dhe shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për interes të BIA-s.
“E pandehura, e cila mbante pozitën “Zyrtare e Programit Kombëtar” në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Regjionin e Mitrovicës, akuzohet se ka siguruar dhe shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për interes të BIA-s. Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë cënuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, si dhe kanë vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë”, njoftoi PSRK.
Prokuroria thotë se e akuzuara kishte marrë udhëzime nga tani i dënuari për spiunazh, Aleksandër Vllajiq. Po ashtu, thuhet se ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës
“J.GJ.nga pozita e saj në OSBE, dhe udhëzimeve që kishte marrë nga tani i dënuari për spiunazh A.V., gjatë takimeve zyrtare dhe përpilimit të raporteve të OSBE-së, për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, poashtu ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës”, thuhej më tej në njoftim.
Jelena Gjukanoviq ngarkohet se informacionet e siguruar i transmetonte tek zyrtarët e lartë të BIA-s.
“Sipas provave të siguruara gjatë hetimeve, informacionet e siguruara nga J.GJ, janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-s, përkatësisht R.G., përgjegjës i BIA-s për Rajonin e Novi Pazarit në Serbi, dhe zyrtari L.B., ku me këtë të fundit, e pandehura në disa raste edhe është takuar në Beograd të Serbisë”, njoftoi Prokuroria.
Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës vazhdimin e masës së paraburgimit, dhe pas shqyrtimit gjyqësor, e pandehura të shpallet fajtore për veprën penale që i vihen në barrë dhe ndaj saj të shqiptohet dënim konform ligjeve në fuqi.
Hajdari thotë se nuk ka marrë ftesë, Gjykata: U dërgua më 19...
Në këto zona të kryeqytetit s’do të ketë ujë, shkak interven...
Ganimete Musliu: Nëse Kurti i merr sërish 42%, unë vetë do t...
Barcelona po synon transferimin sensacional të Mohamed Salah...
Liderët fetarë në Kosovë firmosin deklaratë kundër dhunës me...
Reagon Rozeta Hajdari pas anulimit të seancës: Nuk kam pranu...