Punëtorët e ‘Kuzhinës Qendrore’ me orar të ri, katër ditë pune në javë

23:21 | 25 Janar 2026
E.G

Kuzhina Qendrore e Prishtinës, një nga shërbimet kyçe publike në kryeqytet, nga fillimi i këtij viti ka nisur zbatimin e orarit katërditor të punës, me tri ditë pushim në javë. Sipas drejtuesve, modeli i ri synon rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e organizimit të punës, pa ndikuar në shërbimet që ofrohen çdo ditë. Sociologët vlerësojnë se ky model përkon me praktikat evropiane dhe mund të kontribuojë në rritjen e mirëqenies dhe produktivitetit të punëtorëve.

Ganimete Kongjeli është pjesë e Kuzhinës Qendrore tash e 21 vjet. Si kryekuzhiniere, ajo thotë se ngarkesa e punës është rritur ndjeshëm, veçanërisht me shtimin e institucioneve që mbulohen nga kjo ndërmarrje. Megjithatë, sipas saj, puna po përballohet falë bashkëpunimit mes stafit.

“Një ditë është punë se ka punë shumë, është shtuar puna shumë. Është e vështirë pak, por nuk është edhe aq shumë me të gjithë bashkë këtu duke punuar, kemi bashkëpunim kemi marrëveshje edhe po ia dalim mirë”, thotë Kongjeli.

Së fundmi, ndërmarrja ka nisur zyrtarisht aplikimin e orarit katërditor të punës. Për Ganimeten dhe koleget e saj, ky vendim është pritur pozitivisht.

“Ne e kemi prit, kjo nuk është keq është shumë mirë me i pas 3 ditë pushim e 4 ditë punë”, thotë ajo.

Në Kuzhinën Qendrore të Prishtinës janë të punësuar rreth 110 persona, përfshirë kuzhinierë, staf shërbyes, administrativ dhe menaxhues.

“Duke parë këtë numër të punëtorëve dhe duke parë orarin 7 ditor që punojmë ne si ndërmarrje, ne përveç fëmijëve ne ushqejmë edhe shtëpinë e pleqve edhe zjarrfikësve edhe qëndrimet ditore e pleqve që është në Prishtinë, do të thotë ne detyrohemi të punojmë 7 ditë në javë. Duke parë këtë orar të punës, ne kemi arriturr në përfundimin që për ndërmarrjen, përveç që është profitabile, është edhe më produktive të kthejmë orarin 4 ditë në javë për gjithsecilin e punësuar sepse pastaj ne na vijnë që çdo i punësuar të punojnë 4 ditë por të hiqet e shtuna dhe e diela nga agjenda e punëtorëve për secilin që punojnë këtu”, thotë Asdren Osaj, kryeshef ekzekutiv i “Kuzhinës Qendrore”.

Sipas drejtuesve, ky ndryshim nuk do të ndikojë në paga, në orët shtesë apo në vëllimin e punës, por synon një organizim më efikas të ndërrimeve dhe shmangien e përplasjeve në orare. Sipas sociologes Dhurata Prokshi, kjo nismë përkon me praktikat që po aplikohen gjithnjë e më shumë në vendet e Bashkimit Evropian.

“Është një nismë shumë e mirë e cila përkon me praktikat të cilat kanë filluar një numër i madh i vendeve të Bashkimit Evropian t’i aplikojnë me qëllim që të sigurohet mirëqenia e punëtorëve, të ngritët cilësia e efikasitetit dhe e punës së tyre dhe të kuptohet që kontrata në mes punëdhënësit dhe i punëtorit, nuk është një veprim i njëanshëm dhe nuk është vetëm në dobinë apo në benefitin e punëtorit, por është qëndrueshmëria ajo që sigurohet duke krijua kushte të mira”, thotë Prokshi.

Ajo thotë se modele të tilla duhet të shihen si pilot-projekte, por me analiza të mirëfillta dhe transparencë në zbatim, në mënyrë që të jenë të qëndrueshme dhe të aplikueshme edhe në institucione të tjera.

“Por, gjithsesi Kosova, institucionet e publike por edhe ato private duhet të luftojnë të gjithë akterët relevant, që të ndërtojnë treg atraktiv, i cili është edhe tregues se sa një shoqëri është e shëndetshme dhe se sa e ka në prioritet, sa e ka në fokus, të mirën apo mirëqenien e përgjithshme të popullatës së vetë e cila është në masë të madhe aktive apo realizohet përmes pjesëmarrjes në jëtë publike, gjegjësisht përmes pjesëmarrjes në treg të punës”, thotë Prokshi.

“Kuzhina Qendrore” e Prishtinës funksionon në bazë të hyrave vetanake dhe nuk varet nga subvencionet apo grantet e institucioneve publike. Sipas drejtuesve, kjo u jep më shumë fleksibilitet për të testuar dhe zbatuar modele të reja të organizimit të punës, pa cenuar shërbimin ndaj qytetarëve./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale