Pse nuk është dekoruar ende Prishtina? Komuna tregon arsyet

13:29 | 3 Dhjetor 2025
Q L

Në prag të sezonit të festave, Prishtina ende nuk ka marrë pamjen e saj tradicionale të fundvitit.

Ndryshe nga vitet e kaluara, kur kryeqyteti në këtë periudhë zbukurohej me drita dhe dekorime, rrugët sivjet vazhdojnë të jenë pa atmosferën e zakonshme festive.

Vonesa ka ngritur interesimin e qytetarëve.

Komuna e Prishtinës ka dhënë sqarime për Arbresh.info lidhur me procesin e dekorimit të qytetit, pas interesimit rreth vonesave dhe procedurave të prokurimit.

Nga Drejtoria e Kulturës është bërë e ditur se aktiviteti i prokurimit për dekorimin e qytetit ishte nisur që vitin e kaluar, si projekt dyvjeçar.

“Vitin e kaluar, njëri lot është realizuar me sukses, ndërsa i dyti—i planifikuar për këtë vit—pas ankesës së operatorit është anuluar dhe ritenderuar”, kanë thënë nga Drejtoria e Kulturës për Arbresh.info.

Ndërkohë, sektori i prokurimit ka konfirmuar se anulimi është bërë me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

“Lidhur me aktivitetin e prokurimit për dekorimet verore, dimërore dhe shënimin e datave me rëndësi, ju njoftojmë se ky aktivitet është anuluar paraprakisht me vendim të OSHP-së. Komuna e ka ritenderuar aktivitetin dhe aktualisht procedura është në fazën e vlerësimit të ofertave nga komisioni i rivlerësimit”, thuhet në përgjigjen e sektorit të prokurimit.

Pas përfundimit të procesit të vlerësimit, pritet të merret vendimi për operatorin fitues dhe të nisë realizimi i dekorimeve në qytet./Arbresh.info/

Të ngjashme