Protestuesit sulmuan edhe policë që nuk ishin pjesë e mbarëvajtjes së protestës

21:35 | 17 Nëntor 2015
M. A.

Gjendja e krijuar sot në Prishtinë, nga përleshjet e protestuesve me Policinë e Kosovës, preku edhe disa pjesëtarë të policisë së rendit.

Ata nuk ishin pjesë e planit të policisë për të qëndruar para ndërtesës së Kuvendit apo Qeverisë, e as për të shpërndarë protestuesit në rrugë. Nuk kishin të bënin me protestën. Por, protestuesit nuk i kursyen nga gurët dhe ngjyra. Lëvizja “Vetëvendosje” këto veprime i arsyeton me atë se “protestuesit janë të mllefosur nga të bëmat e Qeverisë, andaj edhe kanë qenë kryes të këtyre veprimeve sot.

Derisa Albin Kurti me deputetë, i shoqëruar edhe nga protestuesit, shkonin në drejtim të selisë së VV-së, dy pjesëtarë të policisë së rendit, që po kalonin andej pari, u sulmuan me ngjyrë nga disa protestues.

Më vonë, pasi situata u qetësua, e protestuesit ishin mbledhë para selisë së VV-së, derisa një veturë e policisë po kalonte, ata sulmuan me gurë.

Përfaqësues të VV-së, të pyetur për arsyen veprime të dhunshme ndaj policëve që nuk ishin me detyrë në protestë, thonë se aktivistët janë të mllefosur me veprimet e Qeverisë.

“Jo ne mund të themi që protestuesit të cilët kanë qenë jashtëzakonisht të mllefosur nga ndërhyrja e policisë, kanë bërë veprime të caktuara të cilat janë shprehje e pakënaqësisë me këtë që po bëhet në Kosovë dhe me përdorimin ose keqpërdorimin e policisë së shtetit për mbrojtjen e ‘Zajednicës’ që e themelon një Republikë Serbe brenda Kosovës. …Kështu që edhe këto veprime të cilat po i folni ju ne deklarojmë se këto janë pjesë janë e këtij jo normalitetit që është shkaktuar në Kosovë për shkak të insistimit të Qeverisë me i qëndrua besnik Serbisë, të mllefosur nga ndërhyrja e policisë, kanë bërë veprime të caktuara”, thotë Frashër Krasniqi.

Ai thotë se policia sot në protestë ka përdorë dhunë brutale ndaj protestuesve që ishin para Kuvendit.

Rrethimi i ndërtesës së Kuvendit nga pjesëtarë të policisë, për Krasniqit, është përdorim i policisë nga pushteti.

Ai thotë se policia ka provokuar, dhe për qeverinë e përcjellë një mesazh që sipas Krasniqit nuk do të ketë gjendje normale përderisa nuk tërhiqet marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave serbe.

Derisa partitë opozitare nuk u lejuan të jenë prezent në sallën alternative ku po mbahej seanca e Kuvendit, jashtë ndërtesës, u mblodhën qindra protestues që dolën në përkrahje të opozitës.

Qysh në fillim, situata eskaloi pasi protestuesit nisën të gjuajnë me gurë ndërtesën e Kuvendit dhe pjesëtarët e policisë. Përleshjet vazhduan plot tre orë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se nga ndodhitë e sotme janë lënduar 17 policë. Ndihmë mjekësore k anë marrë sot edhe Albin Kurti e Albulena Haxhiu të VV-së.

 

Shpërndaje në rrjete sociale