Protestuesit mblidhen para ZRrE-së, hedhin pankarta me mesazhe kundër daljes në tregun e lirë të energjisë

12:41 | 11 Qershor 2025
E.K

Protestuesit janë mbledhur para ndërtesës ku gjendet Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), ku kanë hedhur pankarta me mesazhe kundërshtuese ndaj daljes në tregun e lirë të energjisë.

“Mos na ndalni prodhimin”, “Liberalizimi i shpejtë i rrymës – monopol, jo konkurrencë”, dhe “Pa transparencë – nuk ka treg të lirë”, ishin disa nga pankartat që u panë gjatë protestës së organizuar nga përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Kjo protestë vjen pas hyrjes në fuqi më 1 qershor të vendimit të ZRrE-së për liberalizimin e tregut të energjisë.

Sipas këtij vendimi, të gjitha kompanitë private dhe publike me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, janë të detyruara të furnizohen me energji në tregun e hapur, me çmime që nuk rregullohen më nga shteti.

Mbi 1.300 biznese tashmë janë pjesë e këtij tregu.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në fjalën e tij para protestuesve, deklaroi se bizneset nuk janë kundër liberalizimit, por kërkojnë një periudhë tranzicioni dhe përgatitje të duhur të tregut./Arbresh.info

 

LEXO EDHE:

“Mos e ndal zhvillimin ekonomik”, bizneset fillojnë protestën në Prishtinë kundër liberalizimit të tregut të energjisë