Protesta e serbëve, MPJD këshillon të shfrytëzohen rrugët alternative

21:12 | 13 Mars 2026
Q L

Pas paralajmërimeve për mbajtjen e një proteste në pikën kufitare në Jarinje, në territorin e Serbisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka këshilluar qytetarët e Kosovës që kanë planifikuar të udhëtojnë nga ajo pikë kufitare, të planifikojnë më kohë lëvizjet ose të shfrytëzojnë rrugë alternative.

“Ministria e punëve të Jashtme dhe Diaporës njofton qytetarët se nesër, më 14 mars 2026, është paralajmëruar mbajtja e një proteste në pikën kufitare Jarinje, në territorin e Serbisë, si dhe bllokimi i rrugës për rreth dy orë, duke filluar nga ora 16:00 deri në ora 18:00. Qytetarët e Republikës së Kosovës që kanë planifikuar të udhëtojnë drejt vendlindjes apo të kalojnë transit nëpër këtë segment rrugor, këshillohen që të planifikojnë me kohë lëvizjet e tyre dhe, me qëllim të shmangies së pritjeve të gjata, vonesave apo pengesave eventuale në qarkullim, të shfrytëzojnë rrugë alternative”, thotë MPJD-ja.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thotë se do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe do të informojë qytetarët për çdo zhvillim të ri.

Edhe Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar që funksionon si institucion në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka inkurajuar qytetarët që nesër të shmangin qarkullimin në pikëkalimin kufitar në Jarinje. Kjo për shkak të paralajmërimit të një proteste nga qytetarët serbë në pjesën e territorit të Serbisë.

Shpërndaje në rrjete sociale