Prokuroria tregon detaje rreth përleshjes në “Bon Vivant”: 7 të plagosur nga arma zjarrit, një person në arrati

17:09 | 5 Gusht 2023
Orgesa Haziri

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje rreth përleshjes së të premtes që ndodhi tek lokali “Bon Vivant” në Prishtinë.

Sipas Prokurorisë, është konstatuar se shtatë persona janë plagosur nga arma e zjarrit, ku njëri prej tyre nga plagët e marra nuk mundi t’i përballojë dhe ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës, shkruan Arbresh.info.

“Më datën 04.08.2023 në orët e mbrëmjes, prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë është njoftuar nga ana e Policisë së Kosovës, që në rrugën ‘Rexhep Luci’ në Prishtinë respektivisht në lokalin ‘Bon Vivant’, ka të shtëna me armë zjarri. Me të marrë informacionin, prokurori i shtetit bashkë me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ka konstatuar se si pasojë e të shtënave ka persona të plagosur”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Gjithsej 21 persona kanë qenë të përfshirë në këtë incident, 7 prej tyre me janë plagosur me armë zjarri dhe të tjerët kanë pësuar lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave apo gjësendeve të tjera.

Është konstatuar se nga arma e zjarrit kanë rezultuar të plagosur 7 persona, ku njëri nga ta si pasojë nga plagët e marra ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës. Ndërsa 13 persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave apo nga gjësendet tjera. Të gjithë kanë kërkuar ndihmë mjekësore”, thuhet tutje.

Për zbardhjen e rastit është duke punuar Prokurori i rastit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në drejtim të identifikimit të personave të implikuar në këtë rast, dhe për këtë është marr aktvendim mbi ndalim ndaj disa personave.

Në fund Prokuroria ka bërë të ditur se një person gjendet ende në arrati, ndërsa është konstatuar se të gjithë të dyshuarit kanë të kaluar kriminale.

“Prokurori, rastin në fjalë e ka cilësuar ‘Vrasje të rëndë’ neni 173, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ neni 366 dhe ‘Pjesëmarrje në rrahje’ neni 187 i Kodit Penal të Kosovës. Ajo që është më rëndësi të ceket se një person gjendet në arrati, ndërsa është konstatuar se gjithë të dyshuarit kanë të kaluar kriminale”, thekson Prokuroria./Arbresh.info/