Prokuroria ngre aktakuzë ndaj drejtoreshës së Inspekcionit – PDK në Gjilan: E inskenuar për ta larguar nga pozita

09:02 | 21 Mars 2025
Q L

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj drejtoreshës së Inspekcionit, Entela Hyseni, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, çka ka nxitur reagimin e kryetarit të degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti.

Rashiti ka fajësuar kryetarin e komunës, Alban Hysenin, duke e cilësuar drejtoreshën si viktimën e radhës të udhëheqjes së tij.

“Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan ndaj drejtoreshës së Inspekcionit, znj. Entela Hyseni, është dëshmi e qartë se si Alban Hyseni është zhytur në korrupsion dhe krim urbanistik, duke u fshehur pas emërimeve të grave në pozita udhëheqëse”, deklaroi Rashiti.

Ai gjithashtu ka ngritur dyshime për një marrëveshje të fshehtë mes Prokurorisë dhe kryetarit të komunës për largimin e drejtoreshës nga pozita e saj përmes aktakuzës.

“Në rrethana normale, pas një aktakuze të ngritur, duhet të pasojë dorëheqja nga posti udhëheqës. Kryetari i komunës i ka hapur rrugën largimit të saj për arsye që pritet të dalin në publik nga zyrtarët komunalë, nëse ata marrin guximin të ekspozojnë veprimet e tij”, ka shtuar ai.

Rashiti ka rikujtuar se PDK-ja ka reaguar vazhdimisht për situatën urbanistike në Gjilan dhe ndërtimet pa leje, duke akuzuar udhëheqjen komunale për mungesë veprimi.

“Prej tre vitesh, ndërtimet pa leje kanë vazhduar pa pengesa në qytetin e Gjilanit. Ne kemi ngritur shqetësime për gjendjen e drejtoreshës së Inspekcionit, e cila, për shkak të kërcënimeve dhe shantazheve nga kryetari i komunës, ka zgjedhur të heshtë”, ka theksuar Rashiti.