Prokurori Sylë Hoxha heq dorë nga përndjekja e të akuzuarve, Sabit Berisha dhe Lirije Luzha

10:21 | 16 Janar 2020
M. A.

Ka filluar seanca përfundimtare në procesin gjyqësor kundër Sadri Ramabajës, i njohur edhe si rasti “Syri i Popullit”.

Pa filluar seanca Prokurori Special, Sylë Hoxha sa i përket kësaj seance, ka hequr dorë nga përndjekja e Lirije Luzhes dhe Sabit Berisha.

“Me fjalën përfundimtare kam përgatitur me shkrim, sikur qe ka përgatitur edhe nga një kopje për trupin gjykues dhe mbrojtësve, po ashtu heqë dorë nga përndjekja nga Bedrie Luzha e Sabit Berisha, ne mungesë te provave, po ashtu konsideroj se nga këto seanca ne trupin gjykues konsideroj se dëshmitë e dëshmitarëve konstatoj se analiza e te dyshuarve është shqyrtuar në tersi”, ka thënë Hoxha.

Në fund te fjalimit Prokurori Sylë Hoxha ka kërkuar nga trupi gjykues që të akuzuarit e rastit “Syri i Popullit” ti shpallë fajtorë për vepra të ndryshme penale.

Siç është bërë e ditur më herët nga zyra e avokatit Ramiz Krasniqi, në seancë mbrojtjen e tij do ta paraqet vet i akuzuari, Ramabaja, si dhe avokati i tij, pra Krasniqi, raporton arbresh.info.

Nga Zyra e avokatit Ramiz Krasniqi po ashtu patën bërë të ditur se Ramabaja po mbahet në paraburgim tash e më shumë se dy vjet, sipas një skenari akuzash politike, pa pasur asnjë arsyeshmëri juridike dhe ligjore, dhe se në fjalën e tij në seancë, Ramabaja pritet të zbardh edhe shumë prapaskena politike të panjohura deri më tani për opinionin kosovar si dhe do t’i bëjnë të njohura të gjitha faktet që dëshmojnë se i akuzuari po mbahet në burg sipas një akuze të sajuar e të motivuar politikisht.

Vlen të theksohet se 10 të akuzuarit në rastin e “Syrit të Popullit” ngarkohen për veprat penale hakmarrje në ndihmë, dhunim, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 28 shkurt.

Murat Jashari, i cili akuzohet se kishte shtënë me armë duke e lënë të plagosur Azem Vllasin dhe 9 persona tjerë janë të akuzuar në rastin ”Syri i Popullit”.

Më 13 mars 2017 ishte plagosur Azem Vllasi./Arbresh.info

Gjatë kësaj seance, Nasuf Azemi, avokat i Azem Vllasit i ka dorëzuar tre kopje trupit gjykues.

Avokati i Avni Llumnicës, Ahmet Ahmeti i ka dorëzuar trupit gjykues kopjen e nënshkruar nga avokati dhe nga i akuzuarit.

Avokati i Avni Llumnices, Ahmet Ahmeti, ka thënë se akuzat si dhunimi, paraditja e veprave penale kundër kushtetutës, bazoj se këto akuza janë te pa baza.

“Akuzat e Llnicës, janë te pa baza, sepse konsideroj se kjo akuze është në bazë të supozimeve. Po ashtu është thënë se është formuar një organizatë, por prokuroria duhet të dijë se i mbrojturi im të lirohet nga akuza, sepse ka qenë në Zvicër”, ka thënë avokati Ahmeti, mbrojtës i të akuzuarit Avni Llumnicës.

Ndërsa, avokati mbrojtës i të akuzuarit, Ragip Sallova, i ka dorëzuar trupit gjykues kopjen me shkrim.

Në atë shkrim të avokatit thuhet se mbrojtësi i tij duhet të hiqet nga të gjitha akuzat e klientit të tij.

Ndërsa i akuzuari Sallova, ka thënë se nuk kam qenë asnjëherë në aktivitetet kriminale. /arbresh.info/

 

Si filloi rasti “Syri i Popullit”

Gjykimi i filluar në mars të vitit 2018 ndaj të pjesëtarëve të organizatës së ashtuquajtur, “Syri i Popullit”, u prit që të përfundonte në vitin 2019. Në fund të vitit 2018, pjesë e këtij procesi gjyqësor u bënë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, të cilët dëshmuan në këtë rast.

Të dy këta liderë të Kosovës, së bashku me shumë ish-drejtues tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishin në listën e personave që kjo organizatë i konsideronte tradhtarë dhe planifikonte t’i likuidonte.

Ishte marsi të vitit 2017, u krye edhe tentim-vrasja e parë. I pari në listë për t’u vrarë ishte Azem Vllasi, i cili u plagos mëngjesin e 13 marsit të këtij viti.

Pas kësaj tentim vrasje, ishin arrestuar, Murat Jashari dhe Avni Llumnica, si pjesëtarë të organizatës “Syri i Popullit”, që mori përgjegjësinë për këtë rast.

Vala e arrestimeve të mëvonshme përfshiu edhe persona tjerë, si Bajrush Konjusha, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topllana, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, që organizatën “Syri i Popullit”, e cilëson si terroriste, pjesëtarët e saj akuzohen se po planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Në aktakuzë thuhet se në listë për t’u vrarë nga kjo organizatë ishin edhe shumë emra të tjerë, si Isa Mustafa, Fatmir Limaj, Xhavit Haliti, që nga kjo organizatë konsideroheshin tradhtarë.

Në aktakuzën afër 80 faqe, thuhet se kjo organizatë ka pasur edhe dy grupe; “Grupet Guerile” dhe “Grupi i Dajakut”. Aktakuza e Prokurorisë Speciale, shpjegon se kjo organizatë kishte logon, emblemën, vulat dhe betimet, të cilat kryheshin para flamurit kombëtar dhe fotografive të Adem Jasharit, i cili në Kosovë njihet si “komandanti legjendar i UÇK-së”.

Po ashtu në aktakuzë thuhet se pas fillimit të aksioneve, “Grupi Gueril” dhe “Grupi i Dajakut”, si dhe veprimtarët do të kishin rroga mujore, derisa financimi do të bëhej nga afaristët vendorë kur të krijoheshin rrethanat, si dhe nga mërgata.

Edhe në librin e tij, të titulluar “Lufta e Pambaruar”, të botuar më 2016, që përmbante pyetje të shumta dërguar ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Murat Jashari akuzonte ata për tradhti të vendit.

Por, pavarësisht aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, avokatja e Murat Jasharit, Fehmije Gashi-Bytyçi, thotë për Radion Evropa e Lirë se klienti i saj, i cili është në paraburgim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, nuk e ka vendin në sallën e gjykatës.

“Konsideroj se ende është duke u bërë një shkelje tejet e madhe e të drejtave dhe lirive të tij, sepse është absurde një person me paaftësi mendore të jetë në bankën e të akuzuarve, sepse relevanca e tij nuk është aspak e rëndësishme për gjykatën. Personi me paaftësi mendore mund të jetë prezent kudo, por të jetë prezent në sallën e gjykimit, në bankën e të akuzuarit, besoj që kjo është një praktikë që po ndodhë për herë të parë në Kosovë, sepse është një proces mjaftë i rëndë”, kishte thënë avokatja e Murat Jasharit.

Kurse, avokati mbrojtës i të akuzuarit tjetër, Sadri Ramabaja, Ramiz Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Prokuroria Speciale, nuk ka asnjë provë kundër klientit të tij. Ramabaja sipas aktakuzës, akuzohet “për përgatitjen e veprave penale terroriste, të kryera ndaj funksionarëve të lartë të Republikës së Kosovës”.

“Asnjë provë e vetme nuk qëndron në këtë që e thotë prokurori. Krejt çfarë mund të thuhet për “veprimet kriminale” të Sadri Ramabajës, është fakti se i njëjti e ka bërë redaktuarën e librit të Murat Jasharit “Lufta e pambaruar”. Me gjasë Prokuroria, nuk mund të bëjë dallimin në mes të autorit të librit dhe personit që e ka bërë redaktuarën e librit”, thotë avokati Krasniqi.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 25 janar, ku pritet të dëshmojë zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe gazetari Berat Buzhala, emra këta që po ashtu ishin në listën e personave për likuidim nga “Syri i Popullit”./arbresh.info/Elmedina Ballazhi.

 

Shpërndaje në rrjete sociale